Prej kohës kur Shqipëria nisi procesin e integrimit europian, mungesa e konkurrencës në prokurimet publike mbetet një ndër kritikat e vazhdueshme të organizatave ndërkombëtare, kritikë që reflektohet edhe në progres-raportin e fundit të Bashkimi Europian.
Për të analizuar këtë problematikë në proceset e prokurimit publik, do t’u referohemi fillimisht raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas të cilave, vetëm në katër vitet e fundit, totali i dëmit ekonomik për shkak të parregullsive në proceset e tenderimit shkon në vlerën 2 miliardë e 550 milionë euro, barrë e cila bie mbi qytetarët.
Emisioni “Vetting” ka analizuar procedurat me vlerën më të madhe monetare për periudhën 2020-2023 dhe ka zbuluar se në shumicën prej tyre nuk ka garë pasi kompanitë janë shkualifikuar ose ka pasur pjesëmarrëse vetëm një kompani. Sipas ekspertit të prokurimeve, Muharrem Çakaj, sektori i prokurimit publik ka disa probleme. “Në thelb procesi i prokurimit publik në Shqipëri mund të themi që çalon, çalon në cilësi, por edhe në vendimmarrjen e organeve kompetente”, – tha për “Vetting” Muharrem Çakaj.
Problemet me tenderat kanë sjellë krijimin e kushteve për monopole me fondet publike, e cila sipas drejtuesve të lëvizjeve politike duket te numri i kompanive të përfshira në tenderime. “Do duhej që normalisht investimet të ndaheshin dhe tenderat të fitoheshin nga kompani të ndryshme sepse nëse në Shqipëri ka 6000 kompani ndërtimi, ndërkohë 5 apo 10 prej tyre janë ato që fitojnë shumicën e tenderave publikë në infrastrukturë, kjo tregon qartë që se është krijuar një farë monopolizimi i tregut”, – tha për “Vetting” Adriatik Lapaj, kryetar i lëvizjes politike “Shqipëria bëhet”. Nga të dhënat e përpunuara nga “Open Data Albania”, rezulton se një pjesë e madhe e 100 tenderave më të mëdhenj të organizuara nga institucionet publike rezultojnë me “red flag”, ose ndryshe me “flamur të kuq”. “Flamuri i kuq” vendoset automatikisht nga sistemi i “Open Data Albania” kur kemi vetëm një kompani që garon për tenderin, ose janë shkualifikuar të gjitha kompanitë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, duke u shpallur automatikisht fituese kompania e kualifikuar. Mungesa e garës praktikisht është si të marrësh pjesë në një konkurs, ku askush nuk paraqitet përveçse një pjesëmarrësi, i cili automatikisht shpallet fitues. Sipas Ilir Brashaj, analist te “Qëndresa Qytetare”, në tenderat me vlerë të madhe numri i ofertave të dorëzuara është relativisht i ulët.
