Ish-ministri i Brendshëm dhe koloneli Dritan Demiraj ka paralajmëruar për mundësinë e një konflikti të ri ushtarak global, këtë herë të fokusuar në Tajvan.
Duke analizuar zhvillimet e fundit në Iran dhe ndikimin e tyre në balancat ushtarake, Demiraj theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë zhvendosur një pjesë të konsiderueshme të forcave të tyre nga rajoni i Azisë Lindore drejt Lindjes së Mesme.
Sipas tij, kjo lëvizje përfshin aeroplanmbajtëse, anije luftarake dhe kapacitete të tjera strategjike, duke e bërë më të vështirë reagimin e menjëhershëm në një konflikt tjetër të madh paralel.
Demiraj e lidh këtë situatë me ambiciet e Xi Jinping për të marrë kontrollin e Tajvanit, fillimisht përmes mjeteve diplomatike dhe presionit politik.
Ai paralajmëroi se nëse këto përpjekje dështojnë, një ofensivë ushtarake mund të ndodhë në gjysmën e dytë të vitit 2027 ose në fillim të vitit 2028.
Në një skenar të tillë, sipas tij, SHBA dhe aleatët rajonalë si Japonia dhe Koreja e Jugut do të përfshiheshin për të ndaluar një përshkallëzim të mëtejshëm.
Në përfundim, Demiraj theksoi se zhvillimet aktuale tregojnë një rritje të tensioneve globale dhe hyrjen në një fazë të re rivalitetesh gjeopolitike, që mund të çojnë në konflikte të reja në skenën ndërkombëtare.
