Nga muaji tetor qeveria ka premtuar se do të indeksojë pensionet, një detyrim ky ligjor që zbatohet çdo vit. Por sa do të jetë norma e indeksimit? Për këto dhe të tjera detaje ka folur drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, në një intervistë për “Vizion Plus”. Këtë vit indeksimi nis në muajin tetor, por sipas kreut të ISSH-së, qeveria po mendon që për vitin e ardhshëm ky proces të ndodhë në mes të vitit. Ndërkohë qeveria ka premtuar se edhe bonusi i fundvitit do të jetë edhe më i madh se 5 mijë lekë.
-Zoti Hado, flitet prej kohësh se indeksimi do të nis në muajin tetor por a kemi një shifër konkrete sa është inflacioni i shportës për kategorinë e pensionistëve?
Sigurisht, është detyrim ligjor i INSTAT-it që të llogarisin çdo muaj deri në 10 tetor të llogarisin indeksin e çmimeve të konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve që konsumojnë pensionistët, i cili është një raport i çmimeve të një viti krahas vitit të mëparshëm për të treguar ndryshimin e çmimeve për një kategori të caktuar mallrash dhe shërbimesh që konsumojnë pensionistët. Në llogaritë që ka bërë INSTAT-i rezulton që indeksi i çmimeve të konsumit për tërë popullatën është 2.9%, ndërsa për pensionistët ky indeks është 4.1%, që do të thotë se çmimet janë 4.1% më të larta se një vit më parë. Bazuar në ligjin e sigurimeve shoqërore 7703, është sanksionuar që pensionet indeksohen çdo vit bazuar në normën që del nga INSTAT-i për indeksin e çmimit të konsumit dhe me datë 1 tetor do të bëjmë indeksimin e të gjithë përfitimeve që trajton Instituti i Sigurimeve Shoqërore me këtë masë.
-Të dhënat më të fundit të 2023 flasin se janë gati 705.000 pensionistë në total. Të gjithë janë përfitues të këtij 4.1%-shi apo shifra është më e madhe në 2024-ën?
Sigurisht që shifra është më e madhe në 2024-ën sepse kemi një rritje neto rreth 15000-18000 pensionistë në vit. Vjet numri i pensionistëve ka qenë më i lartë se viti 2022 dhe deri në fund të këtij viti pretendohen të jenë 720.000 më shumë pensionistë pleqërie, invaliditeti dhe familjar. Në këtë kategori nuk përfshihen vetëm këto pasi indeksimin do ta përfitojnë edhe pensionet suplementare, si njësitë e shërbimit, trajtimet e veçanta që janë për kategori të ndryshme, si punonjësit e shërbimeve ushtarake, ish-minatorët dhe të gjithë gama e përfitimeve që paguan ISSH-ja me përjashtim të kompensimeve të ndryshme me të cilat janë me masë fikse dhe ato nuk indeksohen ndonjëherë.
-Bashkë me këtë kategori, totali i përfituesve 4.1%, arrin deri në sa pothuajse?
Nuk po them totali i përfituesve pasi ka një ngatërrim por është totali i përfitimeve. Shkon deri në 791.000 përfitime, por jo domosdoshmërisht janë 791.000 persona pasi ka persona të cilët marrin edhe pension pleqërie ose invaliditet ose marrin dhe pension suplementar si ish-ushtarak ose si nëpunës i lartë i shtetit ose si ish-minator. Kemi gati rreth 30.000 ish-minator, ish-metalurg dhe ish-naftëtar të cilët krahas pensionit të pleqërisë kanë marrin edhe pension suplementar sipas ligjit 29. Janë 30.000 përfitime më shumë, por jo domosdoshmërisht janë 30.000 mijë persona më shumë.
