Pas dy vitesh si ministre e Bujqësisë, Anila Denaj do të vazhdojë kontributin dhe angazhimin e saj politik vetëm si deputete e Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Në një reagim në rrjetet sociale, Denaj përmend konkretisht progresin e bërë në përmirësimin e sektorit të bujqësisë në vend dhe falënderon kryeministrin Edi Rama për besimin dhe mbështetjen. Gjithashtu, Denaj uron ministrin e ri të Bujqësisë, Andis Sallën, me besimin se do të transformojë më tej një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit.
“Mirënjohje Kryeministrit Edi Rama për besimin e dhënë në drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural gjatë këtyre 2 viteve. Falenderim të gjithë bujqve dhe fermerëve, agropërpunuesve dhe përfaqësuesve të çdo njësie agroturistike që po lulëzojnë në çdo cep të Shqipërisë, dhe që sjellin çdo ditë vlerën e shtuar të frutit të tokës dhe traditës shqiptare me shumë përkushtim. Falë përkrahjes së qeverisë rritëm mbështetjen financiare për fermerët dhe bujqësinë vendase; nisëm reforma për modernizimin e sektorit, duke lehtësuar aksesin në mekanizim dhe teknologji; forcuam politikat për zhvillimin e agroturizmit, duke i dhënë një shtysë të re ekonomisë rurale dhe hapjes së vendeve të reja të punës; investuam në përmirësimin e infrastrukturës ujitëse dhe kulluese; zgjeruam bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar fonde e projekte zhvillimore që u shërbejnë drejtpërdrejt komuniteteve tona rurale. Në mandatin e ri qeverisës objektivat janë të qarta drejt integrimit të plotë të sektorit në familjen evropiane.
