Gilmando Dani që ditën kur u arrestua, duket se kishte një strategji të qartë, i bindur se kurrë nuk do të ndryshonte në burg, aq sa Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dënimin e tij më 29 nëntor 2018.
I dënuar me 12 vjet heqje lirie pasi hetimi gjyqësor vërtetoi se së bashku me Emiljano Shullazin, Endrit Zelën dhe Edrit Qyqen, kishin kërcënuar dhe gjobitur biznesmenin Ylvi Beqja, duke i marrë pesë herë çeqe bankare dhe 23% të ish-hotelit “Vollga” në Durrës, Gilmando Dani ka bërë gjithçka për të rrëzuar këtë vendim.
Përmes të paktën 13 proceseve gjyqësore të hapura në gjykatat e rrethit të Durrësit dhe Kavajës, Gilmando Dani arriti të përfitonte ulje dënimi, duke siguruar lirinë më 6 tetor 2024.
Dokumentet e siguruara nga hetimi tregojnë se 47-vjeçari qëndroi në qelinë e izolimit për 8 vite, 5 muaj e 19 ditë dhe ai ia kishte dalë të ulte kohën e vuajtjes së dënimit për 4 vite e 7 muaj.
Në këto dokumente, Dani përshkruhet nga autoritetet e burgjeve si një person i rehabilituar, që nuk paraqiste rrezikshmëri shoqërore, dhe gjatë vuajtjes së dënimit kishte krijuar marrëdhënie të shëndetshme me personelin e institucionit dhe bashkëvuajtësit.
Megjithatë, një vit pas lirimit, Gilmando Dani duket se nuk kishte mbyllur llogaritë me të kaluarën. Mesditën e 11 nëntorit, breshëritë e plumbave u derdhën mbi makinën që ai po udhëtonte në zonën më të sigurt të vendit, atë të aeroportit Nënë Tereza, në Rinas.
I rehabilituari nga burgjet

Dokumentat gjyqësore tregojnë se Gilmando Dani u arrestua për herë të parë në shkurt të vitit 2006 nga forcat speciale RENEA, pas një urdhri kërkimi të lëshuar ndaj tij për akuzat e “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “vjedhjes”. Aso kohe u dënua me 2 vjet e 8 muaj burgim, por ky nuk do të ishte dënimi i vetëm që ai do të merrte nga drejtësia shqiptare.
Me vonë ai sërish përfundoi në burg në vitin 2012 ku u gjet fajtor për veprën penale të “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, për të cilën u dënua vetëm me një vit heqje lirie, edhe pse ligji i kohës parashikonte dënime shumë më të ashpra.
I riu rifiton lirinë, për të përfunduar 4 vite më vonë sërish në dyert e drejtësisë.
U arrestua në 2016, ku u dënua me 12 vite burg për veprat penale që kanë të bëjnë me gjobëvënie dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, të drejtuar nga Emiljano Shullazi.
Sipas vendimit të gjykatës, Dani, së bashku me Emiljano Shullazin, Endrit Zelën dhe Edrit Qyqen, kishin kërcënuar dhe gjobitur biznesmenin Ylvi Beqja, duke i marrë pesë herë çeqe bankare dhe 33% të ish-hotelit “Vollga” në Durrës. Ai u dënua për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes për marrje pasurie”, kryer në formën e “grupit të strukturuar kriminal”.
Grupi i Shullazit u dënua në total me 55 vite burg, ndërsa kreu i bandës, Emiljano Shullazi, mori 14 vite dhe aktualisht është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për vepra të tjera të rënda penale.
Megjithatë, pas arrestimit, Dani përdori të gjitha manovrat ligjore që do t’i mundësonin lirimin e hershëm.
Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se, pa marrë një vendim të formës së prerë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ai iu drejtua gjykatave të rretheve për të përfituar ulje dënimi, dhe kërkesat e tij u miratuan nga drejtorët e burgjeve ku ai vuante dënimin.
Fillimisht, Dani përfitoi një ulje dënimi prej 2 vite, 9 muaj e 23 ditë, për shkak të ligjit që llogarit kohën e paraburgimit gjatë pritjes së përfundimit të hetimit gjyqësor dhe marrjes së vendimit të formës së prerë.
Por menjëherë pas miratimit të kësaj kërkese rezulton se Gilmando Dani i është drejtuar serish gjykatës së Durrësit ku kërkonte një “ulje e masës së dënimit në 500 ditë, dhe për këtë kërkesë ai i referohej periudhës që ka qëndruar në burg nga prilli i vitit 2016 deri në dhjetor të vitit 2021, datë në të cilën përkon edhe me vendimin e gjykatës së apelit, e cila la në fuqi masën e dënimit të dhënë për grupin e strukturuar kriminal nga gjykata e Krimeve të Rënda.
Gjykata e Durrësit e rrëzoi këtë kërkesë, si të pa mbështetur në ligj, por interesante në dokumentet gjyqësore është mënyra se si autoritetet e burgjeve përshkruajnë Gilmando Danin gjatë kohës që ai vuante dënimin në burgun e Rrogozhinës.
Pothuajse në të gjitha proceset që Dani ka hapur në gjykatë për të përfituar ulje të masës së dënimit ai përshkruhet si një njeri me sjellje të mira dhe nuk paraqiste rrezikshmëri shoqërore.
“Ai nuk u ndëshkua me masë disiplinore, ruajti komunikim të mirë dhe krijoi marrëdhënie të shëndetshme me personelin e institucionit dhe bashkëvuajtësit. Dani u tregua i motivuar për të respektuar etikën e komunikimit dhe manifestoi sjellje të rregullta dhe tolerante në marrëdhëniet me të tjerët” – përshkruhet nga autoritetet e burgjeve Gilmando Dani.
