Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar burgim të përjetshëm për Altin Hajrin, i akuzuar si pjesë e grupit të strukturuar kriminal që kreu rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Altin Hajri po gjykohet në mungesë, pasi ndodhet në arrati. Seanca e radhës u shty, pasi avokati i tij kërkoi kohë për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Hajri, pronar i kompleksit “Golden” në Shijak, akuzohet për:
•rrëmbim dhe mbajtje peng me pasojë vdekjen,
•fshehje dhe asgjësim kufome,
•mbajtje pa leje të armëve luftarake,
•pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 17 janar 2020, kur Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz dhe u dërgua në kompleksin “Golden”, i cili u kthye në skenën kryesore të krimit. Edhe pse hetimet provuan praninë e trupit të viktimës në ambientet e kompleksit përmes pamjeve filmike, trupi i Jan Prengës nuk është gjetur as sot, pas gati tre vitesh.
Në këtë dosje, SPAK ka ngritur akuza edhe ndaj:
Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi (Doçaj), Martin Bleta, Korado Kështenja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini. Aktualisht, vetëm Festim Bexhdili, kopshtari i kompleksit, ndodhet në burg duke vuajtur dënimin.
Sipas hetimeve, rrëmbimi u urdhërua nga Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi, për shkak të një konflikti kriminal ndërkombëtar që lidhej me 283 kilogramë kokainë. Lënda narkotike ishte vjedhur në portin e Portsmouth në Angli nga Astrit Prenga, vëllai i viktimës, dhe mbahej peng për llogari të grupit kriminal.
Ekzekutimi i Jan Prengës dyshohet se u urdhërua pasi vëllai i tij refuzoi të tregonte vendndodhjen e drogës.
Altin Hajri nuk është emër i panjohur për drejtësinë. Në vitin 2015 ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane si i dyshuar për trafik droge nga Afganistani drejt Italisë, por hetimi u pushua në vitin 2016. Në Shqipëri, pasuritë e tij me vlerë rreth 10 milionë euro janë sekuestruar.
Dosja “Jan Prenga” mbetet një nga çështjet më të rënda të krimit të organizuar në vend, ndërsa SPAK kërkon dënimin maksimal për një nga figurat kyçe të saj.
