Detaje të rënda dalin nga dosja e Prokurorisë së Posaçme për aferën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ku përshkruhet një skemë e organizuar presioni, kërcënimi dhe përdorimi i personave me precedentë kriminalë për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga koncesione dhe procedura publike.
Sipas akteve hetimore, në qendër të kësaj skeme qëndron biznesmeni Ergys Agasi, i cili dyshohet se koordinonte veprime presioni ndaj zyrtarëve shtetërorë që konsideroheshin “pengesë” për interesat e grupit.
Një nga episodet e dokumentuara lidhet me ish-ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri. Në dosje evidentohet një komunikim i datës 6 mars 2019 mes Agasit dhe Alqi Bllakos, ku diskutohet një situatë në të cilën ish-ministri përshkruhet si faktor pengues për realizimin e përfitimeve të paligjshme.
Në këtë komunikim, Prokuroria thekson përdorimin e një gjuhe të hapur kërcënuese, ku Agasi shprehet se do të aktivizonte “njerëzit e tij” për të zgjidhur situatën, duke nënkuptuar përdorimin e personave të tretë për ushtrim presioni dhe intimidimi. Sipas hetuesve, kjo tregon qartë një mekanizëm jashtëligjor ndikimi mbi vendimmarrjen publike.
Dosja sqaron se personi i përmendur në biseda me nofkë është Elgerti Bixha, i cili më pas do të emërohej administrator i një shoqërie private që kishte përfituar një koncesion nga ministria përkatëse. Kjo rrethanë, sipas Prokurorisë, përforcon dyshimin për një skemë të qëllimshme ndikimi dhe presioni institucional.
Hetimet e lidhin këtë mënyrë veprimi edhe me rastin e pengmarrjes së biznesmenit Gerond Meçe, i cili kishte paraqitur ankesa të shumta për procedurat e prokurimit të zhvilluara nga AKSHI. Sipas SPAK, modeli i veprimit është i njëjtë: identifikimi i një pengese, ndjekur nga kërcënime, presion dhe veprime intimidimi për të siguruar përfitime të paligjshme.
