Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se nuk ka nevojë për autorizim nga Kongresi për veprime ushtarake ndaj Irani, duke argumentuar se situata aktuale me armëpushim e ndryshon interpretimin ligjor.
Deklarata vjen në një moment kur ka përfunduar afati 60-ditor i parashikuar nga Rezoluta për Fuqitë e Luftës, e cila kërkon që presidenti të marrë miratimin e Kongresit nëse një konflikt ushtarak zgjat përtej këtij kufiri.
Megjithatë, Trump theksoi se armëpushimi i shpallur më 7 prill e pezullon këtë afat, duke shtuar se nuk ka pasur përplasje të armatosura që prej asaj date. Sipas tij, kjo i jep administratës fleksibilitet për të vepruar pa kufizime të menjëhershme ligjore.
“Nuk kam nevojë për autorizim, jemi në një situatë armëpushimi dhe në mes të një fitoreje të madhe,” u shpreh ai, duke i cilësuar si “jo patriotikë” kritikët që kërkojnë respektimin strikt të procedurave ligjore.
Në letrat dërguar Kongresit, Trump deklaroi se armiqësitë që nisën në fund të shkurtit kanë përfunduar, por paralajmëroi se kërcënimi nga Irani mbetet i konsiderueshëm.
Ai shtoi se, si Komandant i Përgjithshëm, do të vazhdojë të drejtojë forcat e armatosura në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese dhe interesat e sigurisë kombëtare të Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Deklaratat e tij kanë hapur debat në SHBA mbi balancën e pushteteve dhe rolin e Kongresit në vendimmarrjet për luftë, sidomos në një situatë ku armëpushimi nuk përjashton mundësinë e një përshkallëzimi të ri.
