Në prill të këtij viti, Këshilli Bashkiak i Fierit miratoi me shumicë votash krijimin e një shoqërie aksionere për trajtimin e mbetjeve urbane. E pagëuar me emrin Shoqëria Trajtimit të Mbetjeve Urbane Qarku Fier, ndërmarrja me aksionerë 6 bashkitë e qarkut u krijua me qëllimin për të marrë në administrim inceneratorin e Fierit.
“Është vetëm regjistrimi i shoqërisë, akti i themelimit dhe regjistrimi. Ne nuk e marrim në dorëzim impiantin pa pasur një raport, por raportin nuk e hartojmë ne,” tha për BIRN Adela Hysenaj, nënkryetare e bashkisë së Fierit ditën e themelimit të shoqërisë.
Por 5 muaj pas krijimit, Asambleja e Ortakëve, e kryesuar nga Armando Subashi, ka vendosur beftas që ta kalojë ndërmarrjen në status pasiv.
“Asambleja e Pergjithshme e Aksionareve, pasi diskutoi ceshtjet e perfshira ne rendin e dites, me unanimitet vendosi te pranohet kerkesa e administratorit te shoqerise Z.Arjan Ndreu per pushimin e perkohshem (pezullimin) të aktivitetit te Shoqerise se Trajtimit te Mbetjeve Urbane te Qarkut Fier sh.a. dhe kalimin e shoqerise ne ne status pasiv per nje kohe te pacaktuar per shkak te pamundesise objektive te ushtrimit te aktivitetit te saj,” thuhet në vendimin e miratuar nga Këshilli Bashkiak në fillim të muajit të kaluar.

