Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani ka denoncuar disa shkelje serioze gjatë procesit zgjedhor, përfshirë: përdorimin e administratës shtetërore për të ushtruar presion mbi votuesit, intimidimin e qytetarëve nga drejtues të institucioneve publike brenda qendrave të votimit, si dhe manipulimin e votës përmes identifikimit të saj në fletën e votimit.
Ai cilëson se dhe vetë ai është kërcënuar nga këta individë të administratës edhe pse ishte më shumë se 150 metra larg qendrave të votimit dhe nuk kishte një shkelje të ligjit.
Dogjani cilësoi se raporti i OSBE-ODIHR ishtë realiteti i asaj ç’ka ndodhi ditën e djeshme në terren me procesin e votimit dhe patronazhistët.
“Pashë se në fletët e votimit, kur kanë votuar qytetarët, është identifikuar vota, sepse ajo nuk është vendosur në kutinë e votimit, por pranë emrit të kandidatit apo mbi siglën e partisë. Ne kemi kërkuar që kjo të shpallet e pavlefshme, por KZAZ e ka marrë në konsideratë.
Kjo përbën lexim të votës, që do të thotë se është përdorur para ndaj këtyre personave për të identifikuar votën.
Problemi më i madh ishte dje, gjatë ditës së votimit. T’ju them sinqerisht, më dukej vetja sikur ishim në luftë. Administrata e bashkisë dhe e shtetit ndodheshin në çdo vend. Votuesit janë kërcënuar nga punonjës të administratës, të cilët ishin të pajisur me autorizime dhe ndodheshin në QV.

