“Do t’iu trajtoj si organizatë kriminale, jeni të kapur nga SKAP”/ Berisha shantazhon gazetarët, reagon AGSH

Data

“Jeni të kapur nga SKAP-i i partisë”, “zëdhënës të mashtrimeve” dhe “do t’ju trajtoj si organizatë kriminale”, këto kanë qenë dhe fjalët e përdorura nga ish-kryeministri Sali Berisha drejtuar gazetarëve.

Mesditën e kësaj të mërkure, lideri i demokratëve zhvilloi një konferencë për shtyp me gazetarët të cilëve u foli lidhur me akuzat e SPAK ndaj tij dhe dhëndrit, Jamarbër Malltezit sa i përket dosjes “Partizani”. Ndër të tjera, Berisha iu drejtua atyre me një fjalor aspak normal duke i akuzuar se janë të kapur dhe zëdhënës të mashtrimeve.

Gjithashtu, ish-kryeministri i shantazhoi duke iu thënë: Por në këtë rast, më duhet të ju them gazetarëve dy gjëra. Konstatoj se tek tuk prej tyre keqpërdoren në mënyrë ekstreme nga Skapi. Keqpërdoren se janë të marrë peng realisht dhe unë këtë do të ua faktoj. Me këtë unë ju them kaq; do të trajtoj njëlloj si anëtarë të organizatës kriminale, Skapi i partisë.

Pas këtij fjalori të përdorur nga ish-kryeministri Berisha ka ardhur dhe reagimi i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, të cilët i kanë kërkuar liderit të demokratëve që të vetëpërmbahet, të ndalë sulmet ndaj gazetarëve dhe të lejojë që ata të raportojnë lirshëm procesin penal ndaj tij, familjarëve të tij, të lidhurit me ta, njëlloj si çdo proces tjetër.

“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dëshmoi sot me keqardhje deklarata kërcënuese të bëra nga Kryetari i Partisë Demokratike z. Sali Berisha në drejtim të gazetarëve të cilët raportojnë mbi dosjen e tij hetimore. Etiketimet “Jeni të kapur nga SKAP-i Partisë” dhe shantazhet “do t’ju trajtoj si organizatë kriminale” janë të papranueshme.

AGSH i kërkon zotit Berisha të vetëpërmbahet, të ndalë sulmet ndaj gazetarëve dhe të lejojë që ata të raportojnë lirshëm procesin penal ndaj tij, familjarëve të tij, të lidhurit me ta, njëlloj si çdo proces tjetër. Kjo është krejt e kundërta që ne dhe kolegët tanë presim nga një ish-kryeministër i cili duhet të luftojë për fjalën e lirë.

I kujtojmë zotit Berisha se fjalët e tij kërcënuese ndaj medias janë një mesazh i keq dhe i rrezikshëm të dala nga goja e liderit të opozitës. Në inkurajojmë kolegët tanë të vijojnë të mbulojnë me profesionalizëm çdo çështje”, thuhet në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë.

Deklarata e Berishës e bërë këtë të mërkurë (18 shtator 2024):

Por meqë jam në këtë çështje, kam një kërkesë të njerëzishme ndaj gazetarëve. Unë vlerësoj shumë angazhimin e tyre në debatin për këtë dosje dhe për çdo gjë, dhe i garantoj se kanë gjithnjë respektin tim, pavarësisht nga linja editoriale që mund të ndjekin. Por në këtë rast, më duhet të ju them gazetarëve dy gjëra. Konstatoj se tek tuk prej tyre keqpërdoren në mënyrë ekstreme nga Skapi. Keqpërdoren se janë të marrë peng realisht dhe unë këtë do të ua faktoj.

Me këtë unë ju them kaq; do të trajtoj njëlloj si anëtarë të organizatës kriminale, Skapi i partisë. Me të tjerët të cilët janë profesionistë, kontribuojnë çdo ditë, mendoj se në dinjitetin e tyre është të marrin guximin, kur lexojnë pasazhe të piramidës së mashtrimit, të shtrojnë pyetje Sali Berishës, Jamarbër Malltezit se është në kodin e gazetarëve se si qëndron e vërteta. Ne jemi të gatshëm të ju përgjigjemi çdo pyetje që ata kanë, në mënyrë që të mos bëhen viktima të keqpërdorua të një materiali fund e krye, krim politik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related