“Do t’i lemë të krijojnë parti, por jo të marrin pushtetin”: Plani i fshehtë i Ramiz Alisë për një pluralizëm të kontrolluar

Data

Nga Ndokë   Kola

Një dokument i rrallë, i shpërndarë së fundmi në rrjetet sociale, hedh dritë mbi një nga momentet më të errëta dhe të pazbardhura të fund-komunizmit në Shqipëri: një fjalim me dyer të mbyllura i Ramiz Alisë, i mbajtur në vitin 1989, vetëm pak muaj përpara shembjes së regjimit. Në këtë fjalë, Alia pranon se sistemi komunist kishte kapitulluar përballë botës kapitaliste dhe se ndryshimet ishin të pashmangshme — por në vend të dorëzimit të pushtetit, ai propozon një tranzicion të inskenuar dhe të kontrolluar plotësisht nga Partia.

“Pluralizmi do të bëhet se s’bën, por partitë duhet të kontrollohen e të drejtohen nga Ne”, thuhet në dokument.

Pluralizëm fals dhe drejtësi e simuluar

Alia nuk flet për një demokraci reale, por për një pluralizëm politik të inskenuar, ku partitë e reja – të majta, të djathta apo të qendrës – duhej të krijoheshin “me bekimin e Partisë”, me programet e tyre të formuluara dhe miratuara nga vetë strukturat komuniste.

Ai paralajmëron edhe për menaxhimin e opinionit publik, duke përfshirë “infiltrimin” e njerëzve të besuar brenda forcave që përkrahnin ndryshimin:

“Ne do të krijojmë parti, por të gjitha duhet të kontrollohen e të drejtohen nga Ne… do të nxjerrim njerëz që përkrahin Strategjinë Tonë.”

Pronarët “nuk do ta marrin kurrë pronën”

Një ndër pjesët më të ndjeshme të fjalimit është trajtimi i çështjes së pronës private, që sot mbetet ende një plagë e hapur për mijëra familje shqiptare. Në dokument, Alia pranon se të sekuestruarve dhe të shpronësuarve do t’u “jepet një letër, por jo prona”.

“Të sekuestruarve dhe të shpronësuarve do t’u japim nga një letër në dorë, që ‘e njohin pronën’. Por pronën nuk do t’ua japim kurrë.”

Më tej, ai urdhëron që çështjet e pronësisë të zvarriten përmes sistemit gjyqësor, të cilin e përshkruan si të nënshtruar ndaj direktivave politike:

“Ata do të kalojnë nëpër gjykata… ku do të zbatohen rotacioni, nga Gjykata e Shkallës së Parë në të Dytën, dhe për ‘defekte teknike’, do të kthehen sërish në të Parën.”

Kjo është një dëshmi se bllokimi i të drejtës mbi pronën ishte një politikë e qëllimshme e tranzicionit, dhe jo thjesht pasojë e kaosit pas vitit 1990.

E përndjekurit? “Të moshuar, pa rrezik. Do t’u japim strehim dhe pension, jo pushtet”

Në dokumentin e vitit 1989, Alia i referohet të përndjekurve politikë si njerëz që nuk paraqesin më rrezik, duke urdhëruar që të mbahen larg pushtetit:

“Ata që janë të përndjekur, janë të moshuar… do t’u japim ndihmë ekonomike dhe banesë, por nuk do t’u japim pushtet.”

Alia përpiqet të zbusë zemërimin e tyre përmes kompensimeve të pjesshme, por pa hapur rrugën për drejtësi të vërtetë.

Përfundim: Demokracia shqiptare nisi si një mashtrim

Nëse ky dokument është autentik – dhe të gjitha shenjat tregojnë se është – ai dëshmon se pluralizmi politik shqiptar lindi si një farsë e dizajnuar nga vetë udhëheqësit e komunizmit. Një tranzicion i kontrolluar nga sipër, për të ruajtur pushtetin, për të penguar kthimin e pronave dhe për të mos lejuar që të përndjekurit të vinin ndonjëherë në pozita vendimmarrëse.

Pasojat e këtij manipulimi vazhdojnë edhe sot: pronat nuk janë kthyer, drejtësia është zvarritur, dhe shoqëria shqiptare jeton ende me hijet e një tranzicioni të sabotuar që në fillesat e tij.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related