Klubi i Teutës ka reaguar ashpër pas ngjarjeve të rënda të ndodhura në ndeshjen ndaj Flamurtarit në Vlorë, duke e cilësuar situatën si një skandal që cenon rëndë futbollin shqiptar. Përmes një deklarate zyrtare, klubi durrsak ka publikuar pamje të dhunës dhe ka ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj organizimit të ndeshjes dhe vendimmarrjes së delegatit të FSHF-së.
Sipas KF Teuta, në minutën e 69-të të takimit, lojtarët Muço Boçi dhe Mario Beshiraj u goditën me grusht fillimisht nga futbollistë të Flamurtarit dhe më pas nga tifozë që hynë në fushën e lojës. Situata degjeneroi në kaos, duke shkaktuar tronditje të fortë psikologjike te lojtarët e Teutës.
Klubi deklaron se, pavarësisht dhunës së ushtruar dhe gjendjes së rënduar të ekipit, delegati i ndeshjes, Armando Mandro, kërkoi që loja të vazhdonte, duke urdhëruar boshatisjen e një tribune dhe duke injoruar rrezikun real për futbollistët.
Teuta thekson se i ka kërkuar vazhdimisht ndërprerjen e ndeshjes, pasi lojtarët ndodheshin në shok psikologjik dhe nuk ishin në gjendje të vazhdonin, por kërkesa u refuzua. Sipas klubit, ekipi u detyrua të rikthehej në fushë nën presion, edhe pse situata ishte kthyer në një “ferr të vërtetë”.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se tifozët e Flamurtarit nuk u larguan plotësisht nga stadiumi, por u zhvendosën në tribunën pas porte, çka rriti më tej tensionin dhe ndjenjën e pasigurisë.
KF Teuta i kërkon Federatës Shqiptare të Futbollit të marrë masa të menjëhershme, të zbardhë plotësisht ngjarjen dhe të vendosë përgjegjësi për dhunën dhe vendimet e marra gjatë ndeshjes. Klubi shprehet se episode të tilla njollosin rëndë futbollin shqiptar dhe nuk duhet të tolerohen më.
