Detaje të reja dhe tronditëse janë zbardhur nga tragjedia që goditi një familje shqiptare në Itali, ku katër anëtarë të saj – babai, nëna dhe dy fëmijët – humbën jetën si pasojë e rrjedhjes së gazit, dyshohet nga monoksidi i karbonit.
Sipas mediave italiane dhe autoriteteve lokale, ngjarja ka ndodhur rreth orarit të darkës. Kur forcat e shpëtimit hynë në banesë, gjetën tryezën të shtruar, çka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë së bashku, pak çaste përpara se të ndodhte tragjedia.
Alarmin e ka dhënë vëllai i kryefamiljarit, i cili pasi nuk arriti të kontaktonte me ta, njoftoi karabinierët. Pasi mbërritën në banesën trekatëshe dhe nuk morën përgjigje pas trokitjeve të shumta, forcat e rendit u detyruan të thyejnë derën për të hyrë brenda.
Brenda banesës, policia u përball me një skenë dramatike: katër trupat e pajetë të familjarëve të shtrirë në dysheme. Pak minuta më vonë, edhe një familjar i pestë humbi ndjenjat për shkak të ekspozimit ndaj gazit, nën sytë e karabinierëve, të cilët arritën të dalin në kohë dhe të japin alarmin. Ai u transportua me urgjencë në spitalin e Cisanellos, ku ndodhet nën kujdes mjekësor.
Në vendngjarje mbërriti edhe kryebashkiaku i Porcari, Leonardo Fornaciari, i cili shprehu tronditje dhe dhimbje të thellë për humbjen e rëndë. Ai theksoi se kjo tragjedi ka prekur të gjithë komunitetin lokal, në një qytet të vogël pranë Lucca.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të rrjedhjes së gazit dhe për të sqaruar nëse ka pasur probleme teknike apo mungesë të sistemeve të sigurisë në banesë.
