Kushtet e përkeqësuara atmosferike kanë sjellë pezullimin e plotë të lundrimit detar në detin e Vlorës. Për shkak të erërave të forta dhe dallgëve që në det të hapur arrijnë deri në 7 ballë, është ndaluar qarkullimi i të gjitha mjeteve të vogla lundruese dhe peshkarexhave, si dhe janë anuluar udhëtimet detare drejt Italisë.
Kapiteneria e Portit të Vlorës ka njoftuar të gjitha mjetet me tonazh të lehtë dhe anijet e peshkimit që të qëndrojnë të ankoruara dhe të mos tentojnë lundrimin, për shkak të rrezikut serioz që paraqet deti i trazuar. Sipas parashikimeve meteorologjike, moti pritet të mbetet i paqëndrueshëm, duke rritur rrezikun e përmbysjes apo mbytjes së mjeteve detare.
Ndërkohë, lundrimi i trageteve mbetet i pasigurt. Parashikohet që një traget të niset në mbrëmje nga Brindisi drejt Vlorës, por kjo do të varet nga përmirësimi i kushteve të motit, në veçanti nga dobësimi i erës dhe ulja e dallgëve.
Autoritetet detare u bëjnë thirrje të gjithë operatorëve dhe qytetarëve të respektojnë udhëzimet e sigurisë dhe të shmangin çdo tentativë lundrimi deri në një njoftim të dytë zyrtar.
