Çështja e paraburgimit të ish-Presidentit Ilir Meta ka kaluar kufijtë e Shqipërisë, duke u kthyer në temë debati edhe në parlamentin e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë një seance plenare, zv.kryeministri dhe ministri i Infrastrukturës, Aleksandar Nikolovski, ka kritikuar ashpër kryeministrin shqiptar Edi Rama, duke e lidhur politikisht me trashëgiminë e regjimit komunist të Enver Hoxha.
Në deklaratat e tij, Nikolovski akuzoi qeverinë shqiptare për trajtim të padrejtë të çështjes së Metës, duke pretenduar se ish-presidenti mbahet në paraburgim për një kohë të gjatë pa prova të qarta ligjore. Sipas tij, kjo përbën shkelje të standardeve demokratike dhe një shembull të përdorimit të drejtësisë për qëllime politike.
Ai përdori tone të forta edhe ndaj opozitës në vendin e tij, duke i akuzuar për afërsi me Ramën dhe për mbështetje të një modeli qeverisjeje që, sipas tij, bie ndesh me vlerat demokratike.
Sipas Nikolovskit, rasti i Metës ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe ka potencial të ndikojë në klimën politike më gjerë në rajon.
