Në 21 korrik të vitit 2014, më pak se një vit pasi ishte ulur në kolltukun e kryeministrit, Edi Rama firmosi një urdhër, përmes të cilit ngriti një grup të posaçëm ndërinstitucional për identifikimin, organizimin dhe nxitjen e Partneriteteve Publike Private. Ndonëse urdhri nuk është publik, Kapitali ka arritur të sigurojë dokumentin, i cili ishte pika e nisjes për koncesionimin në seri të shërbimeve shëndetësore tek privatët.
Urdhri i Kryeministrit për identifikimin dhe nxitjen e PPP-ve, korrik 2014
Grupi i ngritur me urdhrin e Edi Ramës identifikoi me dhjetra koncesione potenciale në shumë sektorë të ekonomisë. Më pas lista e tyre u integrua në një urdhër tjetër. Në 18 nëntor po të vitit 2014, Edi Rama firmosi urdhrin e dytë, pjesë e të cilit ishte dhe lista me dhjetra koncesione të mundshme duke u kërkuar ministrive të linjës, që të punojnë mbi këtë listë për realizimin e këtyre projekteve. “Kapital.al” ka mësuar se në sektorin e shëndetësisë lista përmbante 9 projekte të mundshme Partneriteti Privat, nga administrimi i mbetjeve spitalore deri tek furnizmi i spitaleve me oksigjen. Nga këto 9 projekte u realizuan vetëm 4, të cilat ishin Check-Upi, Sterilizimi, Laboratorët dhe Dializa.
