Çmimi mesatar për një metër katror i apartamenteve në Tiranë në fund të muajit qershor arriti në 1,863 euro për metër katror, sipas të dhënave të indeksit “Keydata Albania” të publikuara nga “Çelësi Media Group”.
Të dhënat e indeksit për çmimet e apartamenteve përfshijnë një përzierje çmimesh të apartamenteve të reja dhe atyre për rishitje, megjithatë, shumica e tregut që pasqyrohet në indeks është bazuar në çmimet e apartamenteve të rishitura. (sipas të dhënave të tjera nga tendenca e indeksit të çmimeve të Fischer të Bankës së Shqipërisë dhe raportit të Deloitte për tregun e pronave, çmimi mesatar është rreth 2000-2100euro/m2, duke përfshirë apartamentet e reja).
Sipas indeksit “Keydata Albania” në 3-mujorin e dytë 2025 çmimet mesatare janë rritur 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024-s. Në krahasim me 2005-n, viti më i hershëm kur ka filluar llogaritja, çmimet janë 2.8 herë më të larta se në vitin 2005. Çmimi mesatar i apartamenteve në 20 vite është gati trefishuar krahasuar me vitin 2005.
Tremujori i dytë 2025 karakterizohet nga një rritje çmimesh mesatare në 3 zonat kryesore të kryeqytetit. Brenda Unazës së Vogël, në këtë tremujor, çmimi mesatar i apartamenteve përllogaritet në 2,054 euro për metër katror. Krahasuar me 3 mujorin e parë 2025 çmimet janë rritur me 10.1%. Në zonën e ish Bllokut çmimi mesatar i apartamenteve arriti në vlerën 2,660 euro për metër katror në 3 mujorin e dytë të 2025-s, me rritje 0.8% krahasuar me tremujorin e parë 2025. Për çmimet mesatare jashtë zonës së Unazës . përllogariten në 1,768 euro për metër katror me rritje 4.3% krahasuar me tremujorin e parë 2025.
Sipas raportit të “Keydata Albania” në Grafikun 1 është paraqitur kurba e evoluimit në kohë të indeksit të çmimit real të shitjes së apartamenteve në Tiranë për periudhën e tremujorëve 2020-2025. Si bazë krahasuese për të gjitha periudhat e përfshira në vlerësim, ekspertët e Keydata kanë përcaktuar vitin 2005 si një periudhë që plotëson kriteret dhe kushtet e një momenti të qëndrueshëm për tregun e pronave të paluajtshme. Vlera e indeksit për vitin 2005 është caktuar 100.
Sipas raportit nga tremujori i parë 2020 deri në tremujorin e dytë 2025, çmimi real i shitjes së apartamenteve në Tiranë është rritur me 103%. Inflacioni kumulativ për tremujorët 2020-2025 përllogaritet në 70.2%.
Momentet kryesore të rritjes janë listuar si më poshtë:
Tremujori i tretë 2020 deri në tremujorin e dytë 2023; indeksi është rritur me: 3.17%; 2.2%, 0.41%, 0.69% dhe 0.63%, 1.89%, 0.85%, 1.70%, 5.56%, 3.00%, 0.72% dhe 6.24% përkatësisht nga njëri tremujor në tjetrin. Nga tremujori i tretë në tremujorin e kartër indeksi është rritur me një përqindje më të lartë, përkatësisht me 21%, nga tremujori i katërt në tremujorin e parë 2024, indeksi është rritur me 10.09%, nga tremujori i parë në të dytë 2024, indeksi është rritur me 2.26% dhe nga tremujori i dytë në atë të tretë është rritur me 4.19%. Periudha aktuale, tremujori i dytë 2025 shoqërohet me një rritje me 23% krahasuar me tremujorin e parë 2025.
Rënie në indeks vërehet nga tremujori i parë në tremujorin e dytë 2020, një rënie me 2.37 % në indeksin e çmimit të shitjes së apartamenteve në Tiranë, një rënie me 1.04% nga tremujori i dytë në tremujorin e tretë 2023, një rënie në periudhën aktuale nga tremujori i tretë në tremujorin e katërt 2024 me 2.57% dhe nga tremujori i fundit 2024 në tremujorin e parë 2025 me 5.26%.
