Çfarë pritet të ndodhë pas hetimeve të Bashkimit Evropian ndaj makinave elektrike të prodhuara në Kinë?

Data

Komisioni Evropian njoftoi të premten se duke filluar nga fundi i muajit tetor do të zbatojë tarifa ndaj makinave elektrike të prodhuara në Kinë pas një votimi që ndau shtetet anëtare të bllokut në dysh.

Komisioni vendosi tarifa që shkojnë nga 7.8 për qind për makinat e markës Tesla, deri në 35.3 për qind për markën SAIC dhe ato të prodhuesve të tjerë që konsiderohen se nuk bashkëpunuan me hetimet e Bashkimit Evropian kundër subvencioneve. Këto janë tarifa shtesë krahas taksës standarde doganore të BE-së për makinat prej 10 për qindësh.

Vota e Bashkimit Evropian

Propozimi i Komisionit Evropian u miratua vetëm me 10 vota në favor, 5 vende votuan kundër dhe 12 abstenuan.

Propozimi do të ishte hedhur poshtë nëse 15 shtete anëtare, që do të përfaqësonin 65 për qind të popullsisë së BE-së, do të kishin votuar kundër.

Komisioni po ashtu mund të kishte ndryshuar propozimin për të siguruar një përkrahje më të gjerë, por vendosi të mos e bëj një gjë të tillë, duke thënë se kishte siguruar përkrahjen e mjaftueshme.

Tarifat e reja fillojnë të zbatohen më 31 tetor dhe do të jenë të fuqi për 5 vjet.

Bisedimet me Pekinin

Komisioni Evropian tha se është i gatshëm të vazhdojë të negociojë për një zgjidhje alternative ndaj tarifave me Kinën edhe pasi të fillojë zbatimi i tyre.

Krahu ekzekutiv i BE-së tha muajin e kaluar se mund të shqyrtojë sërish marrëveshjet tregtare me kompanitë kineze që do të përfshinin çmimin minimal të makinave kineze si dhe do të përcaktonin sasinë totale të importit të tyre. Në të kaluarën Komisioni i ka hedhur poshtë ofertat e kompanive kineze.

Një opsion që po negociohet aktualisht është një skemë e çmimeve minimale të importit të llogaritura në bazë të disa kritereve siç janë distanca që përshkruan, jetëgjatësia e baterisë dhe madhësia e makinës elektrike, krahas specifikave tjera si me 2 apo katër rrota aktive, tha një burim që ka njohuri mbi këtë çështje.

Komisioni ka thënë se çfarëdo alternative që ofrohet duhet të jetë në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related