Avokati, Endrit Sefa u shpreh në një emision televiziv se SPAK do të duhet të bëjë një hetim për zinxhirin e ish-zyrtrëve të kohës kur ndodhi ngjarja e “21 Janarit”. Ndërsa për arsyet pse është shtyrë hetimi, avokati tha se do të duhet të bëhet një vlerësim i gjithanshëm për të gjitha rrethanat së përse ka ndodhur ngjarja.
“E para, çështja do të fillojë se përse u pengua hetimi nga ana e prokurorisë për të marrë në pyetje në momentin e parë zinxhirin komandues të Gardës. Kjo sepse 48 orët e para ishin ato më vendimtaret.”-tha avokati.
I pyetur nëse, ka mundësi që SPAK të shpallë mos-kompetencën për hetimin, edhe pas vendimit të Gjykatës së Lartë, ai u përgjigj kështu:
“Nuk ka asnjë pengesë SPAK-u. Gjykata e Lartë i ka kërkuar regjistrimin e procedimit dhe të fillojë hetimin, nuk i ka kërkuar të fus në burg këta njerëz. Pra do bëjë hetimin, po jo domosdoshmërisht të arrijë në një konkluzion.”
Sipas avokatit, i takon SPAK-ut si strukturë e posaçme të marrë në hetim gjithë zinxhirin e zyrtarëve, por nëse kjo ndodh e si rrjedhojë nuk ka prova të reja, lind mundësia që të shpallë dhe moskompetencë.
