Çështja “ARRSH”/ 21 kërkojnë gjykim të shkurtuar, Begaj gjykim të zakonshëm

Data

Në seancën e parë në themel për 22 të pandehurit e çështjes penale “ARRSH”, të pandehurit dhe avokatët e tyre përsëritën kërkesat për formën e gjykimit.

Evis Berberi, Gentjan Gjyli, Erald Elezi, Ervis Lami, Brunilda Buli, Genti Raça, Artan Leskoviku, Altin Marko, Orjon Islamaj, Adrian Kroi, Bledar Aliaj, Blerta Musabelli, Kamelia Tafaj, Adela Kica, Denis Xhoxhi, Ajda Strazimiri, Gezim Noni, Shkëlqim Lusha, Ela Goxhaj, Jetmira Dervishi dhe Valbona Pepa kërkuan përmes mbrojtësve të tyre ligjorë gjykim të shkurtuar, kërkesë që e kanë shprehur edhe më herët në seancën paraprake.

Ndërsa avokati Isufi Shehu, që mbron në këtë proces Valter Begajn, kërkoi ndarjen e çështjes për klientin e tij dhe zhvillimin e gjykimit me procedurë të zakonshme.

Ndaj të gjithë grupit janë ngritur akuzat “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Mashtrimi me pasoja të rënda” dhe “Falsifikim i dokumentave”, po ashtu të kryera në bashkëpunim.

Të pandehur nga SPAK janë marrë edhe dy shoqëritë “Net” shpk dhe “Daam” shpk, të cilat po gjykohen më vete me procedurë të zakonshme.

Procesi penal po shqyrtohet nga trupa gjykuese e përbërë nga Marinela Osmani në cilësinë e kryesueses, me anëtarë Flora Hajredinaj dhe Flojera Davidhi. Gjykata caktoi seancën e radhës më 12 mars, në orën 15:30.

Në seancën e ardhshme, trupa gjykuese do të shprehet lidhur me kërkesat e paraqitura për formën e gjykimit, ndërsa u kërkoi avokatëve që të sigurojnë deklarim të posaçëm përmes prokurës nga të pandehurit që nuk ishin të pranishëm në sallë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related