Çela në Kuvend: Kriminaliteti në rritje me 10%, Tirana mban rekordin – Saranda më problematikja

Data

Kryeprokurori Olsian Çela paraqiti sot në Kuvend raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme, duke bërë të ditur se gjatë vitit 2024 janë trajtuar 61,167 materiale, ç’ka përbën një rritje prej 10.5% krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave, numrin më të madh të procedimeve penale e ka pasur Prokuroria e Tiranës, ndërsa Dibra dhe Kukësi janë qarqet me përqindjen më të ulët.

Rritet kriminaliteti

Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara në shkallë vendi ka arritur në 1,037 për 100 mijë banorë. Qarqet me nivelin më të ulët të kriminalitetit rezultojnë Berati, ndërsa me më të lartin Saranda.

Gjatë vitit 2024, në organin e prokurorisë janë trajtuar 61167 materiale në shqyrtim që përbën një rritje prej 10,52 % në krahasim me vitin 2023. Janë ndjekur gjithsej 47576 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 4,79 % në krahasim me vitin 2023, nga të cilat: 24956 janë procedime penale të regjistruara, 22441 janë procedime penale të mbartura dhe 179 janë procedime penale të rifilluara. 

Numri më i madh i procedimeve penale të regjistruara rezulton në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë me rreth 35,5% të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi;

Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100,000 banorë në vitin 2024 është 1037, ndërsa në vitin 2023 koeficienti i kriminalitetit ka qenë 872. Në vitin 2024, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Berat, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Sarandë.

Sa i përket tendencave të kriminalitetit, procedimet për veprat penale kundër pastrimit të parave, tregojnë rritjen më të lartë prej gati 59 %, ato për falsifikim të monedhave dhe letrave me vlerë 48 %, krimet në fushën e doganave afër 40 % si dhe veprat penale në lidhje me veprimtaritë bankare dhe financiare mbi 33 %. Këto të dhëna, nisur nga karakteristikat e veprave penale, evidentojnë forcim të ndjekjes penale ndaj veprimtarive kriminale që prekin sigurinë ekonomike të vendit, si dhe forcim të bashkëpunimit institucional dhe të sistemit të mbikëqyrjes e kontrollit.

Ndërkohë ka një rritje të procedimeve të regjistruara edhe për krimet kundër jetës të kryera me dashje me 21,72 %, për veprat kundër lirisë së personit 30,59 %, për krimet seksuale gati 30%, për veprat penale kundër moralit dhe dinjitetit pothuaj 29 %, për veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes rreth 18 %. Rritja e numrit të procedimeve në këto fusha, dikton nevojën për ndërhyrje të koordinuara për forcimin e mekanizmave ligjorë dhe socialë të parandalimit, si dhe nevojën për të garantuar mbrojtjen efektive të kategorive vulnerabël të shoqërisë.”- tha Çela.

A u përdor administrata për zgjedhjet?

Referuar raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit, deputeti Agron Gjekmarkaj kërkoi llogari për mungesën e veprimeve konkrete nga organet e drejtësisë, veçanërisht për përdorimin e administratës publike dhe fondeve shtetërore në fushatë.

Në përgjigje, Kryeprokurori Çela tha se janë marrë masa për të adresuar krimet zgjedhore, duke ngritur seksione të posaçme për periudhën e zgjedhjeve.

Ai shtoi se janë hapur disa çështje penale në lidhje me përdorimin e administratës dhe fondeve publike, por nuk dha një numër të saktë të tyre, duke theksuar se hetimet janë në vijim dhe se kontrolli realizohet nga pushteti gjyqësor.

“Janë marrë disa masa për krime zgjedhore, nga ana jonë u ndërtuan seksione të posaçme për periudhën zgjedhore me qëllim që këta prokurorë në prioritet të kishin hetimin e këtij krimi.

Ka një sërë çështjes penale që ka nisur hetime, nga 2025 rezulton se janë disa çështje penale, nuk e them dot numrin e saktë, por janë në gjithë territorit, që lidhet me përdorimin e administratës apo fondeve publike në fushatë. Mbetet për t’u parë në vijim. Kontrolli realizohet nga pushteti gjyqësor.” – tha ai.

Agron Gjekmarkaj kritikoi dështimin e task-forcës së posaçme të ngritur për të luftuar manipulimin zgjedhor. Task-forca, e përbërë nga drejtuesit më të lartë të institucioneve të drejtësisë dhe rendit Prokuroria e Përgjithshme, SPAK, KQZ dhe Policia e Shtetit  sipas Gjekmarkajt, rezultoi tërësisht e pafuqishme për të ndalur shkeljet në zgjedhjet vendore të 11 majit.

“Ne që ishim në terren e kuptuam që e tmerrshmja ndodhi dhe ata nuk patën mundësi të bënin asgjë,” deklaroi Gjekmarkaj, duke e cilësuar reagimin institucional si “postum”, pra të ardhur vetëm pasi dëmi ishte bërë.

Deputeti demokrat hodhi akuza të rënda mbi legjitimitetin e procesit zgjedhor, duke thënë se shumë mandate u përcaktuan jo nga vullneti i lirë i qytetarëve, por nga “vota e krimit, e patronazhimit dhe e partisë-shtet”.

Ai vuri në dukje edhe kontrastin mes konstatimeve të misionit ndërkombëtar të OSBE-ODIHR dhe mungesës së veprimit nga institucionet shqiptare të drejtësisë: “Është paradoksale që vëzhguesit ndërkombëtarë konstatojnë fshirjen e kufirit mes partisë dhe shtetit, ndërsa organet tona nuk shohin asgjë.”

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related