Zëvendës-Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho denoncoi heshtjen e Ministrisë së Arsimit lidhur me atë që ajo e cilëson si skandalin më të madh të mashtrimit të mijërave nxënësve dhe studentëve, përmes një projekti fantazmë për bursat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
DEKLARATA E XHIXHOS
Të nderuar qytetarë, prindër, nxënës e mësues, Ministria e Arsimit po përpiqet ta kalojë pa dhënë llogari për skandalin e madh të mashtrimit të mijëra nxënësve, përmes një projekti fantazmë për bursat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. « Let’s talk about US 2024” është një projekt i ngritur me urdhër të drejtuesve të Ministrisë së Arsimit, e cila presupozohej të realizonte ëndrrën e maturantëve për të studiuar jashtë vendit.
Është fatkeqësi dhe papërgjegjshmëri, që zyrtarët që paguhen me taksat e shqiptarëve për mirëfunksionimin e sistemit arsimor, dhe edukimin e fëmijëve të tyre zgjodhën të luajnë me ëndrrat e tyre.
Skandali « Klea Rama është prova e radhës që tregon se sa e rëndë është gjendja e funksionimit të sistemit arsimor në Shqipëri. Ky skandal tregon mungesën totale të përgjegjshmërisë nga Ministria dhe zv. Ministria e Arsimit, që kanë urdhëruar gjithe zbatimin e këtij projekti pa asnjë verifikim paraprak, duke qenë bashkëfajtore në këtë skemë mashtrimi.
Nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Arsimit, ky projekt u shtri në 68 gjimnaze të vendit, dhe ka angazhuar qindra mësues e koordinatorë brenda dhe jashtë orarit mësimor, duke treguar edhe njëherë se sa e lehtë është të vësh në rresht çdo punonjës të administratës shtetërore, duke përdorur mbiemrin e kryeministrit Rama.
Mjafton të përmendet emri Rama dhe një ministri e tërë vihet në lëvizje nga drejtuesit më të lartë e deri te mësuesi më i thjeshtë, në çfarëdo momenti të ditës. Ngrihen komisione, jepen certifikata dhe hartohen raporte, të gjitha me firmat dhe vulat e ministrisë.
Skandali që po përpiqen ta kufizojnë te emri Klea Rama është në shkelje të hapur të urdhrit të MAS nr. 634, datë 25.10.2022, ‘Për ngritjen e grupit të punës për shqyrtimin dhe vlerësimin e projekteve të organizatave/shoqatave joqeveritare, dhe individëve që kërkojnë bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në fushën e arsimit parauniversitar’. Gjë që nuk ka ndodhur me skemën e mashtrimit të Klea Ramës.
Vetë Ministria e Arsimit në fakt, ka dhënë urdhër për zbatimin e kësaj skeme mashtrimi, pa asnjë verifikim paraprak, duke u kthyer në bashkëdrejtuese të saj, dhe kjo nuk mund të fshihet me asnjë heshtje.
Qindra mësues kanë punuar me qindra orë në një vit pa u paguar, pasi janë urdhëruar nga Ministria ta bëjnë këtë punë, mijëra të rinj nga ana tjetër janë zhgënjyer, pasi i kanë besuar këtij projekti, duke e parë si një mundësi reale për të ardhmen e tyre.
Ministria e Arsimit, e cila nuk mban përgjegjësi për dështimin ku e ka zhytur arsimin, nuk ka ende asnjë përgjigje për nxënësit, për prindërit, për mësuesit, që edhe pse u angazhuan me detyrim në këtë projekt, tani janë nën presion për të heshtur, sepse kërcënohen me vendin e punës.
E vërteta është se sot arsimi është në ditët e tij më të zeza, i nënfinacuar me buxhetin më të ulët në rajon me vetëm 2,29% të PBB-së, ndërkohë që premtimi i kësaj qeverisë dhe standardi i BE-së është 5%.
Gjithashtu sipas EUROSTAT., shpenzimet buxhetore të qeverisë për kërkimin shkencor janë vetëm 3.6 euro për frymë, ose 72 herë më pak se mesatarja e vendeve të BE-së dhe 10 herë më pak se Serbia.
Strategjia e mosdhënies llogari për dështimet e njëpasnjëshme është kthyer në normë të qeverisë së inceneratorëve, dhe të Ministrisë së Arsimit, e cila nuk ka përgjigje për testin PISA që i renditën nxënësit shqiptarë në vendin e 68 nga 80 vende të marra në studim, rezultate që çertifikuan analfabetizmin funksional të nxënësve tanë.
