Nga Jugu në Veri, Shqipëria ka një vijë bregdetare që kalon 300 kilometra gjatësi por pavarësisht kësaj, një strategji efektive për menaxhimin e integruar të saj mungon.
Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson në një auditim që ndalet kryesisht në menaxhimin e hapësirave publike dhe plazheve se problematikat që lidhen me bregdetin nuk kanë të bëjnë vetëm me dokumentet thelbësorë të saj. Ajo që vihet re është edhe një mbivendosje detyrash në institucione të ndryshme, fusha e të cilëve është marrë në analizim.
“Mungesa e një strategjie kombëtare për menaxhimin e integruar të bregdetit, mungesa e kuadrit ligjor për t’i dhënë status juridik të veçantë zonës bregdetare (edhe pse problematikë e evidentuar prej vitesh), cenon efektivitetin e mekanizmit të ngritur për menaxhimin e hapësirave publike në plazhe.
Mbivendosja e funksioneve të disa institucioneve që kanë role të ngjashme ose mbivendosja e veprimtarisë së tyre në disa aspekte si mbikëqyrja e cilësisë së shërbimeve, inspektimi për higjienën etj., mund të shkaktojë dublim të procedurave, ose procese të panevojshme me pasoja në cilësinë e shërbimit” thuhet në mesazhin përmbledhës të këtij auditimi.
Një tjetër çështje që preket është ajo lidhur me raportin e plazheve publike dhe atyre private, një debat që në fakt zë vend çdo sezon veror.
