BIRN: Qeveria “devijoi” nga rekomandimet e ekspertëve për tkurrjen e Zonave të Mbrojtura

Data

Qeveria shqiptare nuk i mori parasysh sugjerimet e ekspertëve mjedisorë të kontraktuar prej saj për të kryer një studim për Zonat e Mbrojtura, duke marrë vendime për zvogëlimin e këtyre zonave, kryesisht të atyre me statusin ‘Parqe Kombëtare’.

Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, AOS, njoftoi të hënën se në seancën gjyqësore në Gjykatën Administrative të Apelit, ku 11 organizata kanë kërkuar shfuqizimin e dy vendimeve të qeverisë për zvogëlimin e sipërfaqeve të Zonave të Mbrojtura, doli në pah fakti se ‘qeveria i ka shpërfillur rekomandimet e ekspertëve’.

“Vendimet e qeverisë kanë shpërfillur rekomandimet e ekspertëve të tyre dhe se reduktimi është kryer për t’i hapur rrugë HEC-eve, zonave urbane e turistike, ndërtimit të infrastrukturës përfshirë autostradat, linjat e tensionit të lartë, përdorim intensiv të burimeve natyrore etj,” deklaroi AOS pas seancës.

Gent Kromidha, njëri prej ekspertëve që dëshmoi në seancë, i pyetur nga BIRN, dha një version më të zbutur për kontradiktën mes studimit të ekspertëve dhe vendimmarrjes së qeverisë.

“Përgjithësisht rekomandimet tona janë marrë parasysh, por rast pas rasti ka edhe devijime apo ndryshime nga propozimet e dhëna në studim,” tha Kromidha.
Eksperti nuk dha një përcaktim se sa thelbësore ishin këto devijime. “Për shembull në Divjakë nuk besoj se janë thelbësore, por për të tjerat nuk di të them, pasi duhen konfrontuar propozimet tona me ato që janë miratuar nga qeveria,” shtoi ai.

Sipas Kromidhës, studimi i kryer në vitin 2019 dhe procesi i shpalljes/ndryshimit të zonave të mbrojtura në vitet 2020 dhe 2022 ishin dy procese të ndara. Gjithsesi, ai pranon se “studimi ka shërbyer si bazë për procesin e ndryshimit të ndërmarrë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”.

Ekspertët e organizatave mjedisore i kanë sfiduar këto ndryshime në gjykatë, ku kërkojnë shfuqizim të pjesshëm të vendimeve për ndryshimin e zonave të mbrojtura. Sipas tyre, ndryshimet kanë qenë thelbësore dhe shumë të ndryshme nga ajo që është sugjeruar nëpërmjet studimit të kryer.

“Ne kërkojmë shfuqizimin e këtyre vendimeve pasi janë hequr sipërfaqe më të mëdha se sugjerimet e studimit, siç është rasti i parkut Lurë-Mali i Dejës, ku është hequr 2800 hektarë nga 857 hektarë që ishte sugjeruar,” i tha BIRN përfaqësuesi i AOS, Kristi Bashmili

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related