Ish-kryeministri Sali Berisha kërcënoi gazetarë të pacilësuar me emër, duke deklaruar se “do t’i konsiderojë si pjesë të një strukture kriminale” pas publikimeve të detajeve nga dosja e akuzës së prokurorëve specialë kundër tij, akuzë që zbardh marrëdhënie kontroverse të bizneseve të ndryshme me atë vetë dhe të afërm të tij. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i cilësoi kërcënimet e Berishës si “të papranueshme”. Berisha, 79 vjeç, një politikan që ka dominuar jetën politike shqiptare që prej tre dekadash dhe ka drejtuar vendin si president dhe kryeministër, u mor i pandehur pak ditë më parë nën akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë, një akuzë që parashikon dënimin me deri 11 vjet burg, në rast se vërtetohet.
Prokuroria pretendon se dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, është përfitues i veprimeve të Këshillit të Ministrave gjatë kohës kur Berisha ka qenë kryeministër dhe se ka përdorur përfitimet nga kompania Home Plan, e cila ka qenë për shumë vite nën pronësi noteriale por të paregjistruar në QKB të Malltezit, për të mbuluar shpenzime të ndryshme të Berishës, përfshirë pagesa avokatie në Francë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, pagesa me të cilat Berisha synoi të luftonte vendimet e qeverisë amerikane dhe asaj britanike për sanksione kundër tij me argumentin se ishte i përfshirë në korrupsion. Berisha ka sulmuar në vijimësi zyrtarët e drejtësisë, prokurorët e çështjes dhe gjyqtarët, duke pretenduar se është i pafajshëm dhe viktimë e një procesi të montuar politikisht. Të mërkurën, në një konferencë për shtyp që mbajti nga shtëpia e tij ku gjendet në masë sigurie, ai kërcënoi gazetarët pa përmendur konkretisht se me cilët prej tyre e kishte, ndërsa duke pretenduar pa ofruar prova se këta gazetarë “keqpërdoren”.
