Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me Presidentin e International Democrat Union, Stephen Harper, në kuadër të forumit të mbajtur në Zagreb.
Gjatë takimit, Berisha ngriti një sërë shqetësimesh mbi situatën politike dhe demokratike në Shqipëri, duke theksuar se korrupsioni në nivele të larta po mbrohet politikisht dhe se mazhoranca ka penguar hetimet në disa raste.
Ai foli gjithashtu për ndikimin e krimit të organizuar në ekonomi dhe politikë, duke e cilësuar situatën si një “narco-ekonomi”, ndërsa denoncoi edhe atë që e quajti persekutim të opozitës dhe trajtim të padrejtë të ish-presidentit Ilir Meta.
Një tjetër çështje e ngritur ishte emigrimi masiv, që sipas Berishës mbetet një nga problemet më të mëdha të vendit, si dhe ngadalësimi i procesit të integrimit europian për shkak të mungesës së standardeve demokratike.
Nga ana e tij, Stephen Harper vlerësoi mbështetjen e qytetarëve shqiptarë për NATO-n dhe rikonfirmoi mbështetjen e International Democrat Union për opozitën dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në takim mori pjesë edhe një delegacion i përbërë nga përfaqësues të Partisë Demokratike dhe Partia Republikane e Shqipërisë.
