Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përdorur Ditën e Rinisë për të lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë dhe veçanërisht ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila aktualisht po hetohet nga SPAK për aferat e dyshuara korruptive.
Në një deklaratë të ashpër, Berisha e cilësoi Ballukun si “monstra e vjedhjes”, duke pretenduar se ajo, së bashku me kryeministrin Edi Rama, ka dëmtuar rëndë interesat publike dhe ka grabitur pasuritë e shqiptarëve.
Sipas Berishës, kurrë më parë Shqipëria nuk ka pasur në drejtim individë që — sipas tij — të kenë kryer abuzime të tilla. Ai theksoi se Rama është kryeministri i vetëm në Evropë që “mbron publikisht vjedhjet e ministrave të tij”.
Berisha e lidh këtë situatë me largimin masiv të të rinjve nga vendi, duke akuzuar kryeministrin se ka krijuar një sistem të korruptuar e represiv që i ka detyruar më shumë se 700 mijë të rinj të emigrojnë në 10 vitet e fundit.
Në fjalën e tij, ai kujtoi edhe 8 Dhjetorin 1990 si momentin historik të lindjes së demokracisë shqiptare, duke e krahasuar atë me situatën aktuale që, sipas tij, përbën regres të rëndë për liritë dhe pluralizmin politik.
Berisha akuzoi qeverinë Rama për instalimin e një “narkoshteti”, për të cilin tha se funksionon përmes kontrollit të votës, kapjes së institucioneve dhe pasurimit të një grushti njerëzish.
Pavarësisht gjuhës së ashpër, ai theksoi se idealet e dhjetorit 1990 mbeten të gjalla dhe vazhdojnë të frymëzojnë opozitën dhe rininë shqiptare.
