Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar sërish ashpër qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama pas miratimit në parim të projektligjit për të ashtuquajturën “Paqe Fiskale”, të cilën ai e cilëson një mekanizëm për pastrim parash dhe amnisti për krimin e organizuar.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se ligji nuk është gjë tjetër veçse një portë e hapur për paratë e drogës, jo vetëm nga grupet kriminale shqiptare, por edhe aleatët e tyre në Amerikën Latine.
“Rama po legalizon paratë e karteleve”
“Edi Rama, zëdhënës kryesor në Evropë i karteleve të drogës në Shqipëri dhe Amerikën Latine, me të ashtuquajturën Paqe Fiskale ka sanksionuar amnistinë për paratë e drogës dhe krimit”, deklaroi Berisha.
Ai kujtoi se, sipas tij, i njëjti ligj ishte kundërshtuar prerë dy vite më parë nga SHBA, Bashkimi Evropian dhe vendet partnere, ndërsa tani mazhoranca e ka rikthyer sërish për votim, duke e miratuar në parim.
Berisha: Ndërtimi, lavatriçja më e madhe e Europës
Berisha theksoi se Shqipëria është shndërruar në një territor me ndërtime të pajustifikuara ekonomikisht, duke e quajtur këtë sektor “lavatriçen më të madhe të parave të drogës në Evropë”.
“Treguesi i ndërtimit në Shqipëri është tre herë më i madh se në BE. Kjo s’duhet të çudit askënd, sepse aty pastrohen miliardat e krimit”, u shpreh ai.
Mungesë transparence dhe rreziqe për ekonominë
Berisha akuzoi qeverinë për mungesë totale transparence, si ndaj publikut ashtu edhe ndaj biznesit të ndershëm. Ai tha se PD ka paraqitur amendamente të qarta kundër ligjit, por ato janë refuzuar pa asnjë argument nga mazhoranca.
Sipas tij, Paqja Fiskale:
- legalizon paratë e krimit dhe drogës,
- nxit evazion fiskal,
- i lejon bizneset të shmangin detyrimet tatimore në të ardhmen,
- favorizon sektorët me risk të lartë pastrimi parash.
FMN dhe Banka Botërore të shqetësuara
Berisha përmendi se Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë paralajmëruar më parë qeverinë shqiptare për rreziqet e një amnistie të tillë, duke e cilësuar atë një praktikë të rrezikshme që dëmton sistemin fiskal dhe ekonominë.
