Jozefina Topalli rikthehet me post drejtues në Partinë Demokratike, 7 vite pasi Lulzim Basha e distancoi duke mos e përfshirë në listat për deputetë dhe më pas nuk i dha asnjë funksion në selinë blu. Kreu i PD, Sali Berisha i ka ngarkuar bashkëpunëtores së hershme zonjës Topalli, rolin drejtueses politike për diasporës, me qëllim tërheqjen e votës së shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë vendit në zgjedhjet e vitit 2025.
Jozefina Topalli në këtë sfidë do të ketë përballë Taulant Ballën e Partisë Socialiste, i cili ka nisur prej muajsh fushatën në qytetet Europiane dhe në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë një muaj pas burgosjes së Ervin Salianjit, Sali Berisha ka caktuar zëvendësin e tij për Elbasanin. Tomor Alizoti do të drejtojë këtë qark ndërsa ai në 2021 me bekimin e Lulzim Bashës kishte drejtuar qarkun e Beratit. Alizoti do të ketë përballë në zgjedhjet e 2025 socialistin Arbjan Mazniku. Lëvizja e socialistëve për të caktuar tre drejtues qarku në Tiranë, ka bërë që edhe Sali Berisha të mendojë një gjë të tillë.
Kështu, Belind Këlliçin që është drejtues politik i Partisë Demorkatike për Qarkun e Tiranës do ta ndihmohet në Kavajë dhe Rrogozhinë nga Fisnik Qosja, i cili është caktuar si drejtues i degëve për këto qytete, ndërsa ata do të kenë përballë Erion Veliajn, Ogerta Manastirliun dhe Elisa Spiropalin. “Kryetari I Partisë Demokratike Sali Berisha në bazë të Statutit të partisë vendosi drejtuesit politikë për Diasporën, Qarkun e Elbasanit dhe Tiranes (degët Kavajë e Rrogozhinë). Drejtimin u është besuar Ish-Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, deputetit Tomorr Alizoti dhe Kryetarit të Bashkisë Kavajë Fisnik Qosja.
Ky vendim bazohet në Statutin e Partisë Neni 46, pika 2 për intensifikimin e aksionit politik dhe përgatitjen e strukturave për garën elektorale të vitit 2025”, njoftoi dje zyra e shtypit të PD. Kujtojmë se më 26 shtator Gjykata e Apelit la në fuqi dënimin me 1 vit burgim për ish-deputetin demokrat njëherësh dhe ish-drejtuesin politik të qarkut të Elbasanit, Ervin Salianji, për akuzën e “Kallëzimit të rremë” për rastin e audio-përgjimit ku pretendohej se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge. Në atë kohë, Berisha tha se pavarësisht se Salianji është burgosur, ai do të ishte drejtues nderi për qarkun e Elbasanit.
Reagon kreu i PD Kavajë
Ndërkohë pas vendimit të Partisë Demokratike për të caktuar Fisnik Qosen, kryetari aktual i Bashkisë Kavaje, si drejtues politik për qytetin që drejton dhe bashkinë e Rrogozhinë, ka reaguar kryetari i PD, dega Kavajë. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Hysen Kadiu thekson se është hera e parë në 3 dekada që një kryebashkiak zgjidhet edhe drejtues politik. “Partia Demokratike kthen sytë nga Kavaja! Fisnik Qosjës i besohet drejtimi politik i Kavajës dhe Rrogozhinës në zgjedhjet e 2025-ës. Për herë të parë në tre dekada, një Kavajas, përpos detyrës si qytetar i parë zgjidhet dhe drejtues politik i qytetit të tij në zgjedhjet parlamentare. Ky është një tregues shumë i qartë dhe një model suksesi sesi promovimi i figurave lokale të shpien drejt fitoreve. Kavaja e meriton të përfaqësohet nga bijtë e saj, si në strukturat e brendshme politike, ashtu edhe në jetën parlamentare. Kavaja premton fitore”, shkroi Kadiu.
