Berisha: Rama po e ndëshkon Shqipërinë, vendi nuk ka plotësuar asnjë kusht për integrimin në BE

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama po e çon Shqipërinë drejt izolimit europian dhe po rrezikon seriozisht procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Sipas Berishës, vendi nuk ka përmbushur asnjë nga kushtet themelore për anëtarësim dhe po kthehet në kushtet e vitit 1992 për shkak të ndërhyrjeve politike në drejtësi.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se Rama po mbron veten dhe zyrtarë të akuzuar për korrupsion, duke ndëshkuar drejtpërdrejt Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

“Rama po shkon drejt fundit të merituar. Atij i është komunikuar se qëndrimi i tij është i papajtueshëm me shtetin ligjor dhe standardet europiane dhe se do të zhbëjë procesin e integrimit, duke e kthyer Shqipërinë në kushtet e vitit 1992. Një akt i tillë nuk është ndërmarrë kurrë në histori ndaj një vendi”, tha Berisha.

Ai theksoi se rastet e pezullimit apo ndjekjes penale të ministrave dhe zyrtarëve të lartë janë të zakonshme në vendet europiane dhe përmendi shembullin e Rumanisë, ku sipas tij një kryeministër dha dorëheqjen sapo u përball me një hetim penal.

“Pezullimi i ministrave ka ndodhur dhjetëra herë në vendet e BE-së. Rama po mbron veten e tij dhe po ndëshkon Shqipërinë. Ai kërcënon Europën, ndërkohë që Shqipëria nuk plotëson asnjë kusht real për integrimin”, u shpreh kryedemokrati.

Berisha shtoi se sipas tij, i vetmi kriter që Shqipëria plotëson aktualisht është ai gjeostrategjik, ndërsa të gjitha pretendimet për sukses në rrugën europiane i cilësoi si mashtrime dhe lobime të rreme.

Në fund, ai garantoi se Partia Demokratike mbetet e angazhuar për integrimin europian të vendit, por sipas një rruge të ndryshme nga ajo e ndjekur nga qeveria aktuale.

“Integrimi në BE është objektivi ynë madhor, por jo përmes mashtrimit dhe jo duke shkatërruar shtetin e së drejtës. Shqipëria do të ecë drejt Europës vetëm përmes ligjit, drejtësisë dhe standardeve reale”, përfundoi Berisha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related