Berisha nga PPE: Kërkova mbështetje ndërkombëtare për protestat, zgjidhja kalon nga dorëheqja e Ramës

Data

 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë publike diskutimet e zhvilluara në Konferencën Rajonale të Partisë Popullore Europiane (PPE) në Sarajevë, ku tha se ka kërkuar mbështetje ndërkombëtare për protestat që po zhvillohen në Shqipëri dhe për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Gjatë fjalës së tij para grupit parlamentar demokrat, Berisha deklaroi se në takimin e drejtuar nga presidenti i PPE-së, Manfred Weber, ai ka paraqitur situatën në Shqipëri si një krizë të thellë demokratike, duke e cilësuar vendin si “në sallën e urgjencës”.

Sipas tij, vëmendja e diskutimeve është përqendruar te zhvillimet politike në Shqipëri, protestat qytetare dhe nevoja për një zgjidhje paqësore të situatës.

“U kërkova partnerëve tanë europianë të përdorin autoritetin e tyre për të mbështetur një zgjidhje paqësore të krizës, e cila kalon përmes dorëheqjes së Edi Ramës dhe krijimit të një qeverie teknike që do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Berisha.

Kreu i opozitës theksoi se protestat që po zhvillohen në vend nuk janë organizuar drejtpërdrejt nga Partia Demokratike, por sipas tij ato përfaqësojnë një reagim qytetar ndaj problemeve të qeverisjes dhe për këtë arsye gëzojnë mbështetjen e opozitës.

Berisha kritikoi gjithashtu qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj protestuesve, duke e akuzuar për fyerje dhe sulme verbale ndaj qytetarëve që marrin pjesë në tubime.

Në përfundim të deklaratës së tij, lideri demokrat apeloi për mbështetje më të madhe ndërkombëtare ndaj kërkesave të protestuesve, duke argumentuar se respektimi i standardeve demokratike dhe dëgjimi i zërit të qytetarëve janë thelbësore për stabilitetin politik dhe integrimin europian të Shqipërisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related