Sali Berisha ka nisur një revansh të fortë për të rivendosur kontrollin dhe për të shfuqizuar çdo kundërshtim brenda Partisë Demokratike. Pasi nxori besnikët dhe ithtarët e tij për ta marrë në mbrojte politikisht, Berisha ka hedhur në veprim një strategji të koordinuar sulmesh ndaj Gazment Bardhit dhe grupit të tij. Bardhi, i cili dikur ishte në krah të Lulzim Bashës dhe kritikoi ashpër Berishën, tani rrezikon jo vetëm të humbasë pozitat e tij në PD, sikundër është posti i kreut të grupit parlamentar demokrat, por edhe të përballet me mundësinë e moskandidimit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ky është një moment kritik për Partinë Demokratike, ku strategjitë e brendshme dhe lojalitetet politike janë në një pikë kyçe dhe çdo lëvizje mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve në politikën shqiptare. Por kjo tregon se një garë e ethshme ka nisur dhe në PD.
Sot Jorida Tabaku u bashkua me grupin e Berishës, teksa duket se kemi sërish dy klane në PD. Kemi një grup që janë besnikë të doktorit dhe përditë bëjnë statuse në rrjetet sociale për të, një lëvizje kjo për të siguruar një tjetër kandidim. Kemi dhe grupin e Bardhit, që duket se lëviz i pasigurtë. Ata e dinë se listat e kandidatëve në fund i bën Berisha dhe ai e vendos kush garon dhe kush jo. Për këtë arsye duket se ka plasur konflikti. Gazment Bardhi foli dje në Kuvend dhe nuk e përmendi Berishën. Kjo i irritoi besnikët e doktorit. Një gazetar dhe një media pranë familjes Berisha e sulmuan fort. Po ashtu, një reagim pati dhe nga avokati Genc Gjokutaj, i cili duket se thumboi në distancë.
Edhe në mbledhje grupi sot ka pasur një ndarje, pasi ka një grup që kërkojnë të fokusohen te lirimi i Berishës dhe një grup tjetër te axhenda politike. Pra duket sikur Bardhi po shfrytëzon izolimin e Berishës për të marrë kredo politike dhe për të siguruar mbështetje në PD. Nuk e dimë nëse ai po lakmon drejtimin e partisë duke parë hallin e Sali Berishës, por sinjalet janë se një konflikt i ri është në horizont dhe me afrimin e zgjedhjeve situata do ndizet. Të gjithë duan një vend në lista dhe me gjasë kjo do i vërë edhe një herë flakën fitilit.
Plas sherri edhe brenda grupit të Berishës
Por përveçse kanë drejtuar “armët” ndaj Gazment Bardhit dhe grupit të tij, besnikët e Sali Berishës duken se i kanë shpallur “luftë” edhe njëri-tjetrit. Në mungesë të Sali Berishës, i cili është dënuar të mos shkelë jashtë mureve te banesës së tij, me punët e partisë po merret Flamur Noka. Mirëpo me zgjedhjet e pranverës në prag ethet elektorale po ndihen edhe në selinë blu, në korridoret e së cilës po përfliten emrat e drejtuesve politikë të cilët do të udhëheqin listat për deputet. Qarku i Tiranës është ende i hapur, por ujërat pritet t’i trazojë Fieri, ku po mendohet të caktohet Gazment Bardhi duke spostuar Luan Baçin. “Unë vijoj të jam drejtues politik prej tre vitesh tashmë dhe mendoj se e kam drejtuar vërtet mirë qarkun e Fierit. Do respektoj vetëm vendimin e kryetarit te partisë, ndërsa vendimet e këtyre që flasin në emër të kryetarit të partisë më vjen keq, nuk mundem”, tha Baçi në një intervistë për “TCH”.
Por në emër të kryetarit për sa kohë ai do jetë në arrest shtëpie ka të drejtë të flasë vetëm Flamur Noka, i cili po i jep dorën e fundit listës së drejtuesve politikë pak orë para mbledhjes së kryesisë të cilën e ka thirrur pasditen e së mërkurës. Por, nëse për qarkun Fier priten surpriza, për Shkodrën dhe Elbasanin nuk ka të tilla, Luçiano Boçi prej muajsh ka nisur punën në kryeqendrën e veriut, ndërsa Ervin Salianji zhvendoset nga Kavaja në Elbasan. Xhelal Mziu nuk i ndahet Dibrës dhe as Tritan Shehi Gjirokastrës. Oerd Bylykbashi nuk lëviz nga Durrësi, ndërsa Agron Gjekmarkaj i besohet sërish Lezha. Shtyrja e afateve hetimore nga SPAK deri ne tetor ndaj Sali Berishën ka bërë që demokratët të marrin masa për fushatë edhe pa liderin, rolin e të cilit do e luajë Sekretari i Përgjithshëm i partisë Flamur Noka ndërsa po mendojnë edhe për radikalizim të qëndrimit me protesta që parashikohen të nisin në vjeshtë.
PD mbledh strukturat
Ndërkohë sot ë dhe të premten është vendosur thirrja e dy organeve më të larta vendimmarrëse të partisë Kryesisë e me pas Këshillit Kombëtar, ku parashikohet jo vetëm zyrtarizimi i emrave të drejtuesve politikë, por edhe forma dhe mënyra e protestave dhe aksioni për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. “Ditën e Mërkurë datë 4 Shtator ora 18.00 do zhvillojmë mbledhje të Kryesisë me rend dite: Diskutime rreth strategjisë se aksionit opozitar të vjeshtës; Çështje të brendshme organizative; Të tjera. Kjo mbledhje vjen dy ditë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD, ndërsa pritet të diskutohet aksioni opozitar i vjeshtës”, njoftoi dje Partia Demokratike përmes sekretarit Flamur Noka.
