Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se pezullimi i Belinda Ballukut është hequr pa u shqyrtuar më parë çështja, duke e cilësuar këtë veprim si një precedent të rrezikshëm për drejtësinë.
Nga jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Berisha bëri një krahasim me ngjarje të mëparshme politike, duke rikujtuar rastin e ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta në vitin 2011. Sipas tij, Meta nuk priti kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit, por dha dorëheqjen dhe u vu në dispozicion të drejtësisë.
“Në këtë vend janë arrestuar edhe kryeministra. Kanë dhënë dorëheqjen ministra dhe zëvendëskryeministra. Ilir Meta, pa SPAK dhe pa reformë në drejtësi, nuk priti kërkesën e prokurorisë, por dha dorëheqjen, hoqi dorë nga imuniteti dhe iu përgjigj hetimit”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se, sipas tij, heqja e pezullimit pa shqyrtim real të çështjes “shumëzon me zero” rolin e SPAK dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke akuzuar Gjykatën Kushtetuese për vendime që, sipas tij, minojnë drejtësinë.
Berisha e cilësoi sistemin aktual të drejtësisë si të dështuar, duke deklaruar se ai është ngritur mbi korrupsion dhe ndikime politike. “Ky sistem është i falimentuar dhe po shërben për të mbrojtur pushtetin, jo për të garantuar barazinë para ligjit”, përfundoi ai.
