Kryeministri i Izrael, Benjamin Netanyahu, deklaroi se ka urdhëruar Forcat Mbrojtëse të Izraelit të zgjerojnë kontrollin territorial në Rripi i Gazës deri në 70%.
Gjatë një interviste në një konferencë në Bregun Perëndimor të pushtuar, Netanyahu tha se ushtria izraelite po avancon gradualisht në territor dhe po rrit presionin ndaj Hamasi.
“Tani jemi në 60% të territoreve të Rripit të Gazës. Ishim në 50%, kaluam në 60%. Direktiva ime është të ecim përpara, ta çojmë hap pas hapi, para së gjithash në 70%. Le të fillojmë me këtë”, deklaroi Netanyahu.
Sipas raportimeve të CNN, gjatë fjalës së tij, pjesë të publikut i kërkuan kryeministrit izraelit që të pushtonte të gjithë territorin e Gazës.
Në fund të prillit, ushtria izraelite u kishte paraqitur organizatave humanitare harta ku tregohej se Izraeli kontrollonte rreth 64% të territorit të Gazës.
Zgjerimi i kontrollit ushtarak pritet të rëndojë edhe më tej situatën humanitare në enklavë, duke detyruar afro 2 milionë palestinezë të zhvendosen në zona gjithnjë e më të kufizuara dhe të dëmtuara nga lufta.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit të tetorit 2025 mes Izraelit dhe Hamasit, forcat izraelite ishin tërhequr në një vijë demarkacioni të njohur si “vija e verdhë”, e cila mbulonte rreth 53% të territorit të Gazës.
Ndërkohë, Hamasi akuzoi Izraelin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit dhe ndryshim të vijës së kontrollit në terren.
Sipas deklaratës së Hamasit, kjo përbën “një shkelje serioze të marrëveshjes dhe një përpjekje për të imponuar realitete të reja ushtarake në Gaza”.
