Anëtari i Kryesisë së Partia Demokratike e Shqipërisë, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër ndaj aktivitetit të zhvilluar nga Partia Socialiste e Shqipërisë në Durrës me rastin e 35-vjetorit të krijimit të saj, duke e cilësuar atë si një “tribunë propagande dhe sulmi ndaj opozitës”.
Në reagimin e tij publik, Këlliçi akuzon kryeministrin Edi Rama se po përdor aktivitete politike për të shmangur vëmendjen nga problemet reale të vendit dhe aferat që, sipas tij, rëndojnë mbi qeverinë.
Sipas Këlliçit, aktiviteti i zhvilluar në Durrës u shoqërua me gjuhë përçarëse dhe sulme ndaj kundërshtarëve politikë.
“Shfrytëzimi i këtyre sallave me militantë të verbër për të shpallur armiq e për t’i bërë ata shënjestër të sulmit, është një taktikë e neveritshme për të fshehur problemet reale të vendit”, deklaroi ai.
Këlliçi ndaloi veçanërisht te projekti i Portit të Durrësit, duke pretenduar se një prej aseteve më të rëndësishme ekonomike të vendit po i jepet interesave private në mënyrë të dyshimtë.
Ai përmendi gjithashtu çështjen e mbetjeve toksike, problemet me rindërtimin pas tërmetit dhe akuzat për lidhje të politikës me elementë kriminalë në qytetin bregdetar.
“Britmat me regji live nuk i fshehin dot bëmat që njerëzit i njohin dhe i përjetojnë çdo ditë”, u shpreh Këlliçi.
Reagimi i tij vjen në vijim të përplasjeve politike mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me procesin e integrimit europian, korrupsionin dhe qeverisjen lokale.
