Belgjika i vë përballë provave të reja Çelës dhe Dumanit: materiale të klasifikuara, dy ditë analizë mbi rrjetet kriminale dhe kriptotransaksionet

Data

Në një lëvizje të papritur dhe me ton urgjence, autoritetet e Belgjikës kanë thirrur Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela dhe kreun e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) Altin Dumani në Bruksel, ku i kanë vënë përballë materiale të reja të klasifikuara, të konsideruara si kritike për sigurinë hetimore të dy vendeve. Gjatë takimit dyditor të zhvilluar më 18–19 nëntor, Prokurorja e Përgjithshme Federale Ann Fransen ka prezantuar dosje voluminoze me informacione të avancuara mbi rrjetet e krimit të organizuar, duke përfshirë hetime financiare, transaksione të dyshimta dhe përdorimin e kriptomonedhave në aktivitete kriminale. Sipas burimeve zyrtare, këto të dhëna janë rezultat i muajve të mbledhjes së informacionit nga njësitë belge të inteligjencës penale.
Takimi është mbajtur në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Belgjikës, por atmosfera ka qenë dukshëm më e rëndë se herët e tjera: palët kanë analizuar rritjen e aktiviteteve të grupeve kriminale, kanalet e pastrimit të parave dhe lëvizjen transnacionale të strukturave të trafikut. Ndër temat kryesore ishte edhe krijimi i skuadrave të përbashkëta hetimore, që do të fokusohet në koordinim të menjëhershëm dhe në shkëmbim të informacionit në kohë reale. Gjithashtu, janë trajtuar çështje të ndihmës juridike, si zbatimi i vendimeve penale, përshpejtimi i letërporosive dhe procedurat që kanë hasur pengesa në bashkëpunimet e mëparshme.
Pjesëmarrësit vlerësuan se shkëmbimi i deritanishëm i të dhënave ka dhënë rezultate, por nënvizuan se volumi dhe rëndesa e materialeve të reja kërkojnë një nivel më të lartë koordinimi. Ndërkohë në fokus të veçantë ka qenë zbatimi i legjislacionit antimafia, duke synuar sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale të personave të hetuar ose të dënuar në të dy vendet. Belgjika insiston në masa më agresive për goditjen e pasurive të paligjshme, ndërsa pala shqiptare ka shprehur gatishmëri për intensifikim të operacioneve të përbashkëta.

Reagon Prokuroria e Përgjithshme

Nga ana tjetër, detaje rreth vizitës së z. Çela dhe z. Dumani ka dhënë edhe Prokuroria e Përgjithshme gjatë një reagimi për mediat. “Prokurori i Përgjithshëm, Z. Olsian Çela dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Z. Altin Dumani dhe përfaqësues të tjerë të këtyre prokurorive, zhvilluan një takim pune me Prokuroren e Përgjithshme Federale të Belgjikës Ann Fransen, në datat 18-19 nëntor, në Bruksel, Belgjikë.
Takimi koordinues u zhvillua në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit të nënshkruara mes palëve si dhe në vijim të takimeve që u mbajtën vitin e kaluar në Tiranë. Diskutimet u fokusuan në çështje që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, hetimet financiare, pastrimin e produkteve të veprës penale, përdorimin e kriptomonedhave në aktivitete kriminale, koordinimin e hetimeve dhe ngritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore.
Gjithashtu u trajtuan çështje të ndihmës juridike, përfshirë ekzekutimin e vendimeve penale dhe letërporosive. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim vlerësuan shumë pozitivisht bashkëpunimin e deritanishëm dhe nënvizuan rëndësinë për zgjerimin e mëtejshëm të tij përmes shkëmbimit më të gjerë të informacioneve, me qëllim hetimin e plotë të aktiviteteve kriminale që prekin të dy vendet. Ndërkohë u diskutua edhe mbi hapësirat ligjore për përmirësimin e mëtejshëm të nivelit të koordinimit, sidomos në drejtim të zbatimit efikas të legjislacionit antimafia, me qëllim sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale ndaj subjekteve të hetuar ose të dënuar në të dy vendet”, njoftoi dje Prokuroria e Përgjithshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related