Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha foli në podcastin e tij, për sfidat që pati në procesin e liberalizimit të vizave me BE. Një nga sfidat, sipas tij ka qenë edhe bindja e anëtarëve të tjerë të BE që vijonin të ishin skeptik, si Hollanda e cila më pas u bë një nga mbështetëset më të fuqishme të Shqipërisë. Dje Basha u zotua se në rastin e marrjes së qeverisë, do të liberalizojë brenda 4 viteve vizat me SHBA-në. “Ambicia ime dhe për momentin ëndrra ime, por jam i bindur në rastin e marrjes së përgjegjësive së qeverisjes, do t’ia dalim që të liberalizojmë vizat me SHBA. Brenda 4 viteve të ardhshme, shqiptarët lëvizin pa viza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe ne e kemi nisur këtë dialog politik që atëherë, por nuk avancoi për arsye që dihen. Por jam i bindur që me një qeveri të re, me një vullnet politik ndryshe, sigurisht me një rekord ndryshe se ajo është më e rëndësishmja në çdo aspekt, duke përfshirë fushat që janë me rëndësi për Amerikën, që e ka caktuar për korrupsionin si rrezik të sigurisë të saj kombëtare. Dhe me një marrëdhënie special me aleatin tonë strategjik, unë kam ambicien dhe besimin që do ia dal të heq vizat me SHBA”, tha Basha. Kreu i PD, gjithashtu foli për mundësitë që do të krijojë PD për rininë duke i kushtuar vëmendje Teknologjisë së Informacionit, si dhe duke financuar politika stimuluese, trajnime, duke bërë të mundur kështu që në Shqipëri të shohin të ardhmen e tyre. “Goditja e rinisë është dhe një projekt politik. Sepse rinia është e pavarur për nga vet natyra e moshës, është shumë më idealiste dhe është shumë më e intersuar për një ndryshim domethënës politik, ekonomik, shoqëror sesa grupmoshat e tjera. Dhe këtë padiskutim e dinë dhe ata që duan që situatën ta mbajnë nën kontroll. Dy janë shtyllat që rrezikojnë përmbysjet e mëdha në një shoqëri dhe në veçanti në momente si ky ku ndodhet sot shoqëria jonë, rinia dhe shtresa e mesme. Dhe jo më kot të dyja janë vënë në breshëri të politikave të mbrapshta apo mungesës totale të mbështetjes së politikave nga kjo qeveri. Kësaj politike i duhet dhënë fund. Si i jepet fund? Duke kthyer në prioritet absolut këto dy shtylla të shoqërisë, rininë, shtresën e mesme, profesionistët e lirë. Si kthehen në prioritet absolut? Duke financuar, pra duke dhënë mbështetje financiare në të gjitha format, financimi i drejtpërdrejtë, politika financiare stimuluese, trajnime dhe duke bërë të mundur që në Shqipëri të shohin jo thjesht atë që u do zemra, por dhe atë që ua kërkon mendja për të krijuar familje, për të marrë profesion. Dhe përfitues do të jemi të dy palët, do të jenë në radhë të parë rinia shqiptare dhe pastaj Shqipëria dhe shoqëria shqiptare”, tha ndër të tjera Basha.
Basha: Nëse vij në pushtet do heq vizat me Amerikën, brenda 4 viteve shqiptarët do lëvizin lirshëm në SHBA
Data
