Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar dje ashpër pas përplasjeve mes shqiptarëve në takimin e kryeministrit në Londër. Basha ka akuzuar Edi Ramën dhe Sali Berishën për nxitjen e dhunës, duke u shprehur se në Shqipëri bëjnë pazare me njëri-tjetrin për interesa të tyre dhe jashtë vendit nxisin dhunë e përplasje mes shqiptarëve. Në një postim në “Facebook”, Basha shkruan se dy liderët bëjnë pazare për interesa personale, si brenda vendit ashtu edhe jashtë, ndërsa shqiptarët vuajnë pasojat. Ai më tej shprehet se pamjet e përplasjes mes shqiptarëve janë drithëruese dhe se shqiptarët nuk duhet të përdoren si mjet për pushtetin e tyre
“Turp e faqja e zezë për Edi Ramën e Sali Berishën. Në Shqipëri bëjnë pazare me njëri-tjetrin për interesa të tyre dhe jashtë vendit, siç ndodhi sot në Londër, nxisin dhunë e përplasje mes shqiptarëve. Ata kanë interes vetëm pushtetin e tyre të cilin e duan me çdo çmim edhe mbi gjakun e shqiptarëve me shpresën se do t’i shpëtojnë llogaridhënies para ligjit. Pamjet e sotme të përplasjes mes shqiptarëve në Londër janë drithëruese. Këto pamje të shëmtuara duhet të marrin fund dhe shqiptarët të ndërgjegjësohen që të mos përdoren si mish për topat e pushtetit të Edi Ramës dhe Sali Berishës”, shkroi Basha.
Demokratët Euroatlantikë janë alternativa e vërtetë për Shqipërinë
Ndërkohë po dje në një intervistë për mediat, kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka theksuar se qëndrimet e tij dhe të partisë së tij nuk vijnë nga interesat e askujt, por janë parimore dhe të vërtetuara nga koha. Ai ka akuzuar Sali Berishën për bashkëpunim me Edi Ramën për interesat e tij personale dhe kjo sipas tij u pa tek amnistia për të korruptuarit dhe mbyllja e listave duke e quajtur si një “pazar të ulët”. Basha ka bërë thirrje për një bashkim të të gjithëve që duan të largojnë Ramën dhe të ndërtojnë një alternativë të vërtetë për të ardhmen e Shqipërisë, duke ofruar programin dhe ekipin e Demokratëve Euroatlantikë si një mundësi për të zhbërë çdo marrëveshje të korruptuar.
“Së pari qëndrimet tona nuk varet nga humoret e askujt. Ato janë qëndrime parimore të cilat janë vërtetuar nga koha si të drejta, siç është vërtetuar tashmë në sytë e çdokujt, edhe të mbështetësve më fanatik të zotit Berisha. Zoti Berisha për interesat e veta personale bashkëpunon haptazi me Edi Ramën, siç ishte rasti i amnistisë për të korruptuarit e Edi Ramës, siç ishte rasti për mbylljen e listave bashkë me Edi Ramën dhe raste të tjera në të kaluarën. Këto e kanë reduktuar fasadën e revolucionit dhe të mosbindjes civile në atë çfarë aktualisht është e vërteta. Për interesat e tij personale, zoti Berisha bashkëpunon me Edi Ramën me një ekuacion ku njëri i ka lëshuar të drejtën të marrë sërish pushtetin në tavolinë në zgjedhjet e ardhshme, me qëllim që ky të mbajë në tavolinë monopolin mbi opozitën. Ky është një pazar i ulët.
