Bardhi përplaset me drejtuesit e seancës: Ministri i Brendshëm nuk mund t’i shmanget interpelancës për vrasjen e efektivit

Data

Seanca plenare e Kuvendit u shoqërua me tensione dhe debate të forta mes opozitës dhe drejtuesve të saj, pas mungesës së Ministrit të Brendshëm në një interpelancë urgjente të kërkuar nga Partia Demokratike lidhur me vrasjen e një punonjësi policie gjatë ushtrimit të detyrës.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, reagoi ashpër ndaj vendimit për shtyrjen e interpelancës, duke e cilësuar atë si shkelje të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit.

Sipas Bardhit, asnjë arsye personale apo institucionale nuk mund ta përjashtojë një ministër nga detyrimi për t’u paraqitur në Kuvend dhe për të dhënë llogari para deputetëve.

“Interpelanca urgjente me Ministrin e Brendshëm është pjesë e rendit të ditës dhe nuk mund të shtyhet në mënyrë të njëanshme. Ndryshimi i rendit të ditës bëhet vetëm me votim të seancës plenare”, deklaroi Bardhi.

Deputeti demokrat kritikoi drejtuesit e seancës për mënyrën se si, sipas tij, u vendos shtyrja e interpelancës, duke theksuar se opozitës po i mohohen të drejtat kushtetuese për të ushtruar kontroll parlamentar mbi qeverinë.

Ai argumentoi se çështja është e një rëndësie të veçantë për shkak të humbjes së jetës së një efektivi policie në krye të detyrës dhe kërkoi që ministri të paraqitet menjëherë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë institucionale.

“Është vrarë një punonjës policie gjatë një operacioni dhe ministri duhet të vijë këtu për të dhënë llogari. Për këtë arsye kemi kërkuar interpelancë urgjente dhe jo një procedurë të zakonshme parlamentare”, u shpreh Bardhi.

Në fjalën e tij, ai ngriti edhe shqetësime lidhur me trajtimin e familjes së efektivit të ndjerë, duke pretenduar se institucionet nuk kanë marrë masat e duhura në mbështetje të saj.

Bardhi kritikoi gjithashtu qeverinë për atë që e cilësoi si shmangie të vazhdueshme të llogaridhënies parlamentare, duke përmendur edhe raste të tjera kur, sipas tij, ministra të kabinetit kanë refuzuar të paraqiten në interpelanca të kërkuara nga opozita.

Debati shkaktoi tensione në sallë, ndërsa opozita insistoi që interpelanca të zhvillohej gjatë seancës së sotme, duke e konsideruar të papranueshme çdo shtyrje të saj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related