Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama nga Berlini, duke theksuar se pengesat kryesore për integrimin europian të Shqipërisë lidhen drejtpërdrejt me qeverinë aktuale.
Reagimi vjen pasi Rama i quajti deputetët e opozitës “mërgata e qyqeve në Berlin”. Bardhi deklaroi se gjatë vizitës në Gjermani është përcjellë një mesazh i qartë nga zyrtarët gjermanë: integrimi kërkon standarde reale dhe rezultate konkrete.
“100% e problemeve dhe pengesave në rrugën drejt BE-së vijnë nga qeveria dhe mazhoranca aktuale,” – u shpreh Bardhi.
Gjatë vizitës në Berlin, delegacioni i opozitës zhvilloi takime me zyrtarë të lartë gjermanë, përfshirë Ministrin për Europën Günther Krichbaum dhe disa deputetë të Bundestagut. Në fokus të diskutimeve ishin sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Bardhi theksoi se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim politik që të rikthejë besimin në institucione dhe të përshpejtojë rrugën drejt Bashkimit Europian.
“Integrimi në BE nuk është propagandë, por meritë dhe standarde,” – përfundoi ai.
