Banorët e zonës së Rrjoll kanë vijuar protestat kundër ndërtimit të një resorti turistik, duke kundërshtuar projektin që lidhet me biznesmenin Bashkim Ulaj.
Gjatë tubimit, protestuesit u kanë bërë thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që t’u bashkohen në mbrojtje të asaj që ata e konsiderojnë si pronë të tyre, duke e cilësuar çështjen si një problem që prek jo vetëm zonën, por gjithë vendin.
Banorët kanë deklaruar se nuk janë kundër zhvillimit ekonomik, por kundërshtojnë ndërtimet që, sipas tyre, bëhen pa respektuar të drejtat e pronësisë. Ata theksojnë se çështja ndodhet në procese gjyqësore dhe presin vendime nga organet e drejtësisë.
Në protestë nuk ka munguar prania e policisë, ndërsa janë raportuar edhe përplasje të lehta, pasi disa banorë kanë tentuar të hyjnë në zonën e kantierit, por janë ndaluar nga forcat e rendit.
Përfaqësues të komunitetit kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë çdo ditë, duke kërkuar zgjidhje ligjore dhe transparencë për projektin, ndërsa e konsiderojnë situatën si një betejë për të drejtat e pronës në Shqipëri.
