Banka e Shqipërisë e përfshirë në shkelje të rënda ligjore, ‘printoi para’ për blerjen e Hotel Dajtit, ja si Sejko…

Data

Shtatë vjet pas nisjes së punimeve për rikonstruksion dhe afro 1 dekadë e gjysmë pas blerjes së godinës ikonike të hotelit të famshëm “Dajti” në bulevardin qendror të Tiranës, Banka e Shqipërisë hapi dyert për të pritur punonjësit e saj në një ceremoni që kishte në fokus promovimin e turizimt. “Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në ambientet e reja të Bankës së Shqipërisë, dikur të njohura si Hotel Dajti,” tha guvernatori Gent Sejko, ndërsa i drejtohet kryeministrit Edi Rama gjatë përurimit të ndërtesës së rikonstruktuar. “Ky monument kulture, i cili i është kthyer tashmë thesarit të trashëgimisë tonë kulturore, u rikonstruktua me një vizion të qartë, atë të ruajtjes së vlerave dhe stilit arkitekturor të kohës,” shtoi Sejko, ndërsa pranoi se “projekti i rijetëzimit ishte sa impenjativ aq dhe shpërblyes”. Vetëkënaqësia e shprehur nga dy zyrtarët e lartë të shtetit për rikonstruksionin e ndërtesës mund të jetë e kuptueshme, duke llogaritur kohën e gjatë që projekti ka marrë. Rama e falënderoi Sejkon në atë kohë. Por një raport ‘konfidencial’ auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit i vitit 2017, i siguruar nga BIRN, tregon se falenderimet e dy zyrtarëve duhet t’u drejtoheshin qytetarëve, pasi ata kanë dhënë kontributin kryesor për blerjen dhe rikonstruksionin e godinës.

Raporti i KLSH

KLSH ka konstatuar në auditin e saj se Banka Qendrore ka printuar kartëmonedha për të blerë me 4 miliardë lekë [30 milion euro me kursin e kohës] në vitin 2010, godinën e rrënuar të hotelit dhe truallin përreth. Raporti sugjeron se dhe financimi i shpenzimeve për rikonstruksionin e godinës qendrore në sheshin “Skënderbej” është bazuar në emetimin e parave, pasi rezervat në llogari për këtë qëllim nuk kanë qenë të mjaftueshme. Ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se i emetimi i parave nga Banka e Shqipërisë ka sjellë kosto shtesë për qytetarët nëpërmjet rritjes së inflacionit. Printimi i parave për investime në pasuri të patundshme nuk është i vetmi problem i identifikuar nga KLSH. Sipas raportit, Banka e Shqipërisë në një rast dyshohet se ka ndihmuar një kompani private të shmangë pagesën e detyrimeve tatimore dhe kredisë bankare. Raporti i auditit të KLSH-së shtrihet si në periudhën kur banka drejtohej nga ish-guvernatori Ardian Fullani, ashtu edhe gjatë periudhës së drejtuar nga guvernatori aktual, Gent Sejko. Emetimi i parasë i filluar gjatë periudhës që Fullani drejtonte bankën për blerjen e hotel Dajtit, dyshohet se mund të jetë vazhduar nga pasardhësi i tij Sejko për të financuar rikonstruksionin e godinës. Sejko gjithashtu akuzohet nga grupi i auditit i KLSH-së se pas marrjes së drejtimit të institucionit më të lartë financiar të vendit, u përfshi në një procedurë të dyshimtë prokurimi për blerjen e një makine luksoze ‘Range Rover’.

Reagimi i Bankës së Shqipërisë

Banka e Shqipërisë tha në një përgjigje për BIRN se gjetjet e audituesve që sugjerojnë shkelje janë pjesë e raportit paraprak, por jo përfundimtar, që sipas Bankës u rishikua pas vënies në dispozicion të dokumenteve. “Nuk ka patur gjetje dhe asnjë rekomandim në raportin e KLSH, por pjesë e raportit paraprak, i cili, sikurse parashikon procesi, u rishikua nga ana e auditorëve si rrjedhojë e paraqitjes të dokumentacionit përkatës dhe bazës ligjore relevante nga ana e palës së audituar,” tha BSH. “Emetimi i monedhës, sikurse parashikohet në ligj, bëhet në funksion të plotësimit të nevojave të ekonomisë me para, dhe në asnjë moment për të financuar shpenzimet e vetë institucionit”, shtoi Banka Qendrore. Ish-kreu i KLSH për vitet 2011-2020, Bujar Leskaj i tha BIRN se vendimi i tij për ta klasifikuar raportin si konfidencial merrte parasysh specifikat e Bankës Qendrore. “Duhet të jetë shpjeguar në Vendimin e Kryetarit, mbështetur në specifikën e subjektit që auditohet dhe sensibilitetin e çështjeve të trajtuara dhe se i është përcjellë Këshillit Mbikëqyrës të BSH,” tha Leskaj, duke shtuar se gjetjet kryesore janë edhe në Raportin për Zbatimin e Buxhetit dhe Raportin e Performancës së KLSH, që i janë përcjellë Kuvendit dhe Komisionit të Ekonomisë. Ish-guvernatori Ardian Fullani nuk i’u përgjigj një kërkese për koment të drejtuar nga BIRN deri në publikim e këij shkrimi.

Blerja e “Dajtit” me emetim parash

Banka e Shqipërisë është institucion kushtetues i ngarkuar me përgjegjësinë e ruajtjes së stabilitetit të çmimeve e atë financiar, dhe organi i vetëm që siguron prerjen e tërheqjen nga tregu të monedhave dhe kartëmonedhave. Bankës Qendrore i lejohet procesi i prerjes dhe asgjësimit të parave në bazë të rregulloreve rigoroze, në mënyrë që të shmanget ndikimi në ekonomi me ulje apo rritje të ofertës monetare. Për të siguruar pavarësinë në vetëfinancimin e saj, Banka e Shqipërisë realizon të ardhura nga operacionet e kredive njëditore, komisionet e obligacioneve dhe interesat në investimin e rezervës valutore dhe letrave me vlerë shqiptare. Ligji e lejon Bankën që nga të ardhurat e saj të zbresë shpenzimet vjetore dhe të mbajë 25% të tyre si rezervë të përgjithshme, derisa fondi të arrijë 37.5 miliardë lekë, pjesa tjetër duhet të transferohet në buxhetin e shtetit. Hotel “Dajti” u ndërtua gjatë periudhës së pushtimit fashist të Tiranës mes viteve 1939-1942 dhe njihet si pjesë e monumenteve të kulturës të trashëguara nga ansambli i arkitektit fiorentinas, Gherardio Bosio, i cili ka dizenjuar edhe stadiumin “Qemal Stafa” apo Teatrin Kombëtar, godinë që fatkeqësisht nuk ekzistojnë më. Hoteli mbeti i hapur si një nga destinacionet kryesore të kryeqytetit gjatë regjimit komunist, duke pritur vizitorët e rrallë që vinin në Shqipëri, ndërsa mbylli dyert në mesin e viteve 2000 për shkak të degradimit dhe mungesës së investimeve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related