Por ky mesazh i zv/kryeministres Balluku, ka tronditur opinionin politik dhe ka nxitur spekulime mbi një luftë të brendshme në Partinë Socialiste, e cila tashmë nuk mund të fshihet më. Për shumëkënd, ky është një sinjal i hapur se Balluku jo vetëm që ka dalë fitimtare kundër Veliajt, por se e ka forcuar pozicionin e saj deri në atë pikë sa të sfidojë edhe vetë Edi Ramën. Gjithmonë është folur për përplasjen mes Ballukut dhe Veliajt, por kurrë më parë nuk ishte kaq e dukshme. E deleguar nga Rama për të mbikëqyrur projekte të rëndësishme, Balluku kishte krijuar një fuqi të madhe, duke rivalizuar hapur Veliajn, i cili shihej si një pasardhës i mundshëm i Ramës. Me rrëzimin e Veliajt, ajo duket se ka shënjestruar hapur kryeministrin, duke mos fshehur më as dominimin e saj. Ndërkohë, teksa Rama kalon ditët duke mbrojtur Veliajn dhe duke sulmuar SPAK-un, Balluku është treguar indiferente ndaj gjithë kësaj drame.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së këtë të mërkurë, ku Rama vijoi për orë të tëra fjalimet e tij kundër drejtësisë, karrigia e Ballukut ka mbetur bosh. Fillimisht, u mendua se ajo ishte jashtë Tiranës, por realiteti ishte krejt ndryshe. Ajo mbledhjen e ndoqi nga ambientet e Kryeisë së Kuvendin, sikundër gazeta “SOT” e zbiloi një ditë më parë. Ndërkohë në të njëjtën ditë, Balluku ishte e pranishme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku të gjitha vendimet mbanin firmën e saj. Kjo mungesë në mbledhjen e socialistëve shihet si një sinjal i qartë se ajo nuk dëshiron të bëhet pjesë e mbrojtjes së Veliajt, madje e injoron krejtësisht linjën e Ramës në këtë çështje.
Duke u shfaqur e qetë dhe e sigurt në vetvete, Balluku duket se e konsideron këtë një fitore personale. Nga tortat e festës, te kulaçi dhe mjalti, dhe tani deri te cheesecake, ajo po e shijon çdo moment të triumfit të saj politik, ndërsa rivalët e saj ndodhen në një pozitë gjithnjë e më të vështirë. Pra e gjitha kjo tregon se përplasja e brendshme brenda Partis Socialiste tashmë ka dalë hapur në dritë. Arrestimi i Veliajt ka lënë një boshllëk të madh, të cilin Balluku duket se është e gatshme ta mbushë. Por, ndërkohë, një pyetje e pashprehur mbetet pezull mbi politikën shqiptare: A do të jetë Veliaj i vetmi që do të përfundojë pas hekurave apo “cheesecake” i Ballukut është vetëm fillimi i një goditjeje edhe më të madhe?
