Pas shumë thirrjesh e kritikash, që më së shumti bëhen publike në median e shkruar dhe në studio televizive – pasi kërkesat zyrtare dhe kritikat censurohen nga kapiteni – presidenti që nuk merr guximin të përballet me anëtarët e tij, të flasë hapur dhe marrë përgjegjësitë e mbarëvajtjes së aktivitetit basketbollistik, si në arenën kombëtare, ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Kërkesa pa përgjigje ndaj anëtarëve, një verë me aktivitete ndërkombëtare dhe asnjë analizë për rezultatet skandaloze, me të cilat një vit më parë u mbushën rrjetet duke u shitur si “suksese të rreme”. FSHB është në krizë jo për shkak të mungesës së talenteve apo pasionit në fushë, por për shkak të një federate që e ka humbur besimin, legjitimitetin dhe autoritetin moral për të drejtuar. Ky është realiteti i hidhur i Federatës Shqiptare të Basketbollit nën drejtimin e Avni Ponarit. Në qendër të gjithçkaje mbetet pyetja që të gjithë e bëjnë: Pse ka frikë presidenti të mbledhë Asamblenë e Federatës Shqiptare të Basketbollit? Mesa duket, ai ka frikë nga Asambleja. Herët e fundit që ajo është mbledhur, i është kthyer në boomerang, pasi shoqatat me të drejtë kanë ngritur shqetësime për drejtimin autoritar të “një burri të vetëm”, kanë denoncuar mungesën e transparencës dhe arrogancën e drejtimit.
Sot, në vend që të përballet me zërin e komunitetit, ai zgjedh të fshihet, të censurojë dhe të shmangë përballjen me klubet. Asambleja nuk është luks – është obligim ligjor dhe moral. Çdo president që ka frikë nga Asambleja, ka frikë nga e vërteta. Në një federatë normale, vendimet merren mbi bazën e dokumenteve të nënshkruara, të vulosura dhe të pranuara nga anëtarët. Në FSHB, përkundrazi, shohim një praktikë skandaloze: vendime pa firmë, pa vulë dhe pa autor të qartë. Kush i merr këto vendime? Kush mban përgjegjësi për to? Në asnjë vend demokratik nuk është e pranueshme që një federatë sportive të marrë vendime pa asnjë legjitimitet institucional. Ky është skenar i ilegjitimitetit total, ku ligji, me sa duket, është shkelur hapur dhe institucionet kompetente duhet të reagojnë menjëherë. Është koha që Gjykata dhe Ministria e Sportit të shpallin moskompetencën totale të FSHB-së si nga përbërja dhe nga veprimtaria jashtë kompetencave ligjore të percaktuara në statute dhe rregullore.
