Prodhimi i makinave luksoze Aurus Motors në fabrikën e saj në Yelabuga është ndalur që prej fillimit të shkurtit dhe nuk pritet të rifillojë të paktën deri në prill 2026. Arsyeja zyrtare e ndërprerjes është inventari, ndërsa punonjësit janë dërguar me pushime duke marrë dy të tretat e pagës.
Megjithatë, raportime mediatike sugjerojnë se një inventar dy-mujor nuk mjafton për të justifikuar një ndalesë kaq të gjatë. Dyshimet variojnë nga mungesa e kërkesës dhe vështirësitë financiare, deri te problemet me furnizimin e komponentëve, përfshirë çipat me origjinë perëndimore.
Aurus, e promovuar si alternativa ruse e markave si Rolls-Royce, ka regjistruar shitje shumë të ulëta, mesatarisht vetëm 2-3 automjete në muaj. Çmimi i lartë, rreth 500 mijë euro për modelin Senat, ka ngritur pikëpyetje për raportin cilësi-çmim dhe për qëndrueshmërinë afatgjatë të projektit.
Aktualisht, dhjetëra limuzina Senat ndodhen në faza të ndryshme përfundimi në fabrikë, ndërsa kompania nuk ka dhënë një sqarim të detajuar për situatën, duke lënë të hapura dyshimet nëse bëhet fjalë për një pauzë teknike apo për një krizë më të thellë strukturore.
