Historiani dhe studiuesi Auron Tare ka reaguar lidhur me debatin mbi ndikimin e protestave në turizmin shqiptar, duke kundërshtuar pretendimet se tubimet qytetare po dëmtojnë imazhin e vendit dhe sezonin turistik.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tare argumenton se situata në Shqipëri nuk perceptohet si e rrezikshme nga operatorët ndërkombëtarë të turizmit, duke sjellë si shembull mbërritjen e një kroçere amerikane në Portin e Sarandës.
Sipas tij, kompanitë e mëdha të kroçerave shmangin menjëherë destinacionet që konsiderohen të pasigurta ose të përfshira nga trazira serioze, pasi përballen me kosto të larta siguracionesh. Fakti që anijet turistike vijojnë itineraret e planifikuara drejt Shqipërisë, sipas Tares, tregon se vendi nuk konsiderohet problematik nga industria ndërkombëtare e turizmit.
Ai thekson gjithashtu se mungesa e paralajmërimeve nga Ambasada Amerikane për udhëtarët është një tjetër tregues se protestat nuk përbëjnë rrezik për vizitorët e huaj.
Tare shprehet se protestat paqësore mund të kenë edhe një efekt pozitiv, pasi dëshmojnë ekzistencën e një shoqërie aktive dhe qytetarësh të angazhuar në jetën publike.
Megjithatë, sipas historianit, rreziku më i madh për të ardhmen e turizmit shqiptar nuk lidhet me protestat, por me zhvillimet urbane të pakontrolluara dhe dëmtimin e trashëgimisë natyrore.
Ai paralajmëron se betonizimi i zonave të mbrojtura, shkatërrimi i peizazheve natyrore, ndërtimet pa identitet arkitektonik dhe humbja e vlerave kulturore rrezikojnë të dëmtojnë potencialin afatgjatë të turizmit në vend.
Sipas Tares, turistët zgjedhin Shqipërinë për natyrën, historinë, kulturën dhe autenticitetin e saj, ndaj këto pasuri duhet të mbrohen nëse synohet një model i qëndrueshëm zhvillimi turistik.
Në përfundim, ai e cilëson protestën për mbrojtjen e natyrës, trashëgimisë dhe kulturës shqiptare si një të drejtë legjitime qytetare dhe një kontribut të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.
