Në një rrëfim të rrallë dhe emocionues të publikuar në rrjetet sociale, Dr. Tritan Kalo, mjeku infeksionist që pa për herë të parë plagët e rënda të Edi Ramës pas atentatit të 22 janarit 1997, zbulon detaje të pathëna deri më sot. Ai tregon si “xhupazinj të SHIK-ut” e masakruan me leva për ta eliminuar politikisht, ndërsa Rama luftonte për jetën në QSUT, ku Kalo i dha ndihmën e parë me profesionalizëm dhe përkushtim të plotë. Në mes të kaosit të marsit të ’97, mjeku zbulon se ofroi mbështetje edhe për familjen e Ramës në Paris, duke strehuar fshehurazi bashkëshorten dhe dy vajzat e tij në ditët e tmerrit dhe evakuimit nga Shqipëria.
Por pavarësisht miqësisë së gjatë me Kryeministrin, Dr. Kalo nënvizon se profesionin humanitar dhe politikën i ka ndarë gjithmonë me vijë të kuqe, duke qëndruar i paanshëm dhe duke folur hapur për çdo çështje, pa kompromis. “Një mik në nevojë është një mik i vërtetë”, kjo moto e ka shoqëruar në çdo hap për ndihmën ndaj Ramës në kohët më të errëta. Në një reflektim të thellë nga Kanada, ku jeton sot, mjeku i dashur thotë se Shqipëria ende nuk ka dalë nga tranzicioni “demon-kratik”, edhe pse në vitin 2013 i dha 1 milion vota ndryshimit që nuk erdhi kurrë. Ai apelon për reflektim dhe shpresë për të ardhmen, duke mbajtur të gjallë dashurinë për atdheun edhe nga larg, 13.600 km larg Tiranës.
