Universitetet publike në Shqipëri po largohen gjithnjë e më shumë nga misioni i tyre akademik. Në vend që të funksionojnë si qendra studimi dhe kërkimi shkencor, ato po kthehen në struktura të ngurtësuara administrativisht, ku shpenzimet prioritare nuk lidhen me zhvillimin e dijes, por me paga, siguri fizike dhe kontrata të paqarta financiare.
Të dhënat e publikuara nga Qëndresa Qytetare dhe raportimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerrin në pah një krizë të thellë strukturore brenda universiteteve publike.
Kontrata të fshehta dhe mungesë transparence
Dy nga institucionet më të mëdha të arsimit të lartë, Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Mjekësisë, kanë refuzuar të bëjnë publike kontratat e blerjeve, duke i klasifikuar si “sekrete tregtare”.
Kjo qasje i mohon publikut – veçanërisht studentëve – të drejtën për të ditur se si menaxhohen fondet publike.
Në të njëjtën periudhë, SPAK ka ndërmarrë 28 masa sigurie ndaj zyrtarëve të Universitetit Bujqësor për abuzime me 9 tendera me vlerë 900 mijë euro. KLSH ka propozuar 35 masa disiplinore dhe administrative për universitetet dhe Akademinë e Shkencave.
Sipas raportit, abuzimet nuk janë më raste të izoluara – ato janë bërë pjesë e kulturës së administrimit universitar.
Shpenzimet: paga, roje dhe orendi – jo shkencë
Tetë universitetet publike shpenzuan 103 milionë euro brenda një viti. Por:
- 64% e buxhetit shkon për paga
- Vetëm 4.2% për kërkim shkencor
Në disa universitete si ai i Korçës dhe Shkodrës, shpenzimet për personelin kapin deri në 77% të totalit.
Tre milionë euro për roje
Shifra të mëdha shkojnë për kontrata sigurie, ndonëse universitetet nuk raportojnë incidente serioze:
- UT – 1.65 milion euro
- Elbasani – 1 milion euro
- Universiteti Politeknik – 842 mijë euro
- UAMD – 4 herë më pak se UT
Ndërkohë që laboratoret, kompjuterët, pajisjet praktike dhe mjediset e studimit mbeten të amortizuara ose inekzistente.
Hendeku mes faturave dhe realitetit
Në disa fakultete, shpenzimet në dokumente financiare nuk përputhen me realitetin e studentëve:
- UPT ka deklaruar 70 mijë euro për bojë printeri, ndërsa studentët e Arkitekturës paguajnë 100–200 euro në muaj për printime jashtë universitetit.
- Universitetet deklarojnë blerje kompjuterësh, laptopësh dhe pajisjesh teknologjike, të cilat studentët “nuk i shohin kurrë” në auditorë.
Shifrat që tregojnë degradimin (2021–2022)
Universiteti i Tiranës
- 637 454 euro për siguri
- 0 lekë për kërkim shkencor
- 1.1 milion euro për pajisje zyre/orendi
Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan
- 431 944 euro siguri godine
- 115 985 euro dieta/udhtëtime
- 29 000 euro karburant
- 23 479 euro internet/telefon
- Vetëm 1 200 euro për kërkim shkencor
Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër
- Gati 4 milionë euro shpenzime vjetore
- 2.6 milionë euro paga
- 252 mijë euro për siguri
- 4 628 euro për kërkim
Universiteti “Fan Noli”, Korçë
- 0 lekë për kërkim
- 77 mijë euro dieta
- 147 mijë euro pajisje zyre
Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës
- 195 mijë euro për siguri
- 3.7 mijë euro për kërkim
- 4.7 milionë euro për paga
Ekspertët: Arsimi i lartë është në kolaps
Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti e cilëson situatën si një kolaps total.
Sipas tij, arsimi është futur nën ndikimin e politikës dhe mediokritetit, duke kërkuar:
- Depolitizimin e institucioneve
- Një plan kombëtar 30-vjeçar për vizionin e arsimit
- Rritje të cilësisë në programet e mësuesisë
- Heqjen e universitetit si “strehë pune për militantë”
