Policia e Shtetit ka arrestuar një tjetër person të dyshuar për përfshirjen në vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla (i njohur edhe si Edmond Hyka), ngjarje e rëndë që tronditi Elbasanin mbrëmjen e 30 nëntorit.
Kapet në Përrenjas 33-vjeçari Nevzat Spaho
Operacioni u zhvillua në Përrenjas, ku forcat e policisë lokalizuan dhe ndaluan Nevzat Spahon, 33 vjeç, person me precedentë penalë. Sipas burimeve të grupit hetimor, dyshohet se Spaho ka qenë ekzekutori me armë në atentatin ndaj biznesmenit.
Arrestimi i tij vjen pas disa ditësh hetimesh intensive dhe është konsideruar një zhvillim kyç në përpjekjet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Hetimet pritet të zbulojnë motivin dhe bashkëpunëtorët
Burimet bëjnë me dije se arrestimi i Spahos pritet të ndihmojë në sqarimin e motivit të vrasjes si dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.
Ndërkohë, policia dhe prokuroria po vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që dyshohet të kenë bashkëpunuar në organizimin dhe ekzekutimin e atentatit.
Forcat hetimore po kryejnë kontrolle të shtrira në disa zona të qarkut Elbasan dhe më gjerë, ndërsa pista të ndryshme hetimore janë ende në verifikim.
